Vllaznia ka që të hënën që është rikthyer në qytetin e Shkodrës, teksa tashmë shkodranët po zhvillojnë seancat e tyre stërvitore në kompleksin “Hasaj” në Golem. Kuqeblutë janë duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve që po zhvillojnë për ndeshjen hapëse ndaj Erzenit.
Shkodranët vijnë pas një mini-fazë stërvitore të zhvilluar në Pogradec në prag të fillimit të sezonit të ri futbollistik. Natyrisht që pak nga pak, trajneri Mirel Josa po mendon edhe për emrat që do të nxjerrë në fushë për ndeshjen e parë zyrtare të sezonit ndaj Erzenit në transfertë.
Pozitive për stafin është normalizimi i gjendjes fizike të mesfushorit kosovar Liridon Latifi, por nga ana tjetër ajo që shqetëson trajnerin Josa është pyka e sulmit, Ante Aralica, i cili ka probleme dëmtimi. Ajo që mbetet për t’u parë ka të bëjë edhe me aktivizimin e Esat Malës, afrimin e fundit që është bërë pjesë e Vllaznisë.
Gjithsesi, tashmë për trajnerin Mirel Josa alternativat për formacionin e parë janë më të shumta, teksa edhe konkurrenca është rritur ndjeshëm dhe kjo padyshim që është një gjë e mirë për skuadrën.
Maringlen ZHIVANI