Humbja rekord prej 245.6 milionë eurosh në bilancin e sezonit 2020-2021 ishte një plagë e madhe në ekonominë e Interit, por me shitjen e Lukakut dhe Hakimit, të ardhurat prej të cilëve do të ndikojnë në llogaritë e sezonit 2021-2022 që mbyllen në qershor, humbja e parashikuar e zikaltërve është ulur në 100 milionë euro.
Për këtë, tek Interi mund të mjaftojë shitja e vetëm një lojtari të rëndësishëm dhe klubi po vën ç’është e mundur që ai të mos jetë Lautaro. “Demi” është lider i zikaltërve dhe drejtuesit dhe Inzagi duan që me të dhe Dibalën të formojnë një dyshe argjentinase për sulmin. Me Lautaron e “La Joya”-n, Interi do të ketë të gjithë forcën dhe talentin e nevojshme për të konkurruar në çdo front.
Jo më kot është bërë gati propozimi për Dibalën. 4 vite kontratë me 6 milionë euro në sezon plus 1.5 milionë euro bonuse pritet të jetë oferta për 28-vjeçarin, që edhe pse ka dëgjuar interesin e Arsenalit e ka të panegociueshëm kushtin për të luajtur në Champions League.
Italia i pëlqen dhe tek Interi e pret Bepe Marota. Tani e gjitha pritet të vendoset nga ecuria e bisedimeve të cilat edhe pse kanë nisur me kontakte, priten të intensifikohen me mbylljen e kampionatit.
BASTONI
Qëndrimi i Lautaros dhe dyshja me Paulo Dibalën është një ëndërr, por që të bëhet realitet, duhet patjetër të sakrifikohet një tjetër lojtar dhe kur nuk është Lautaro, emri tjetër është ai i Alesandro Bastonit. Mbrojtësi i ka të gjitha cilësitë për t’i siguruar Interit 60 milionë eurot e nevojshme për të përmbushur qëllimet financiare dhe adhuruesit nuk i mungojnë.
Totenhemi që vitin e kaluar transferoi një mbrojtës si Romero për 55 milionë euro, është i gatshëm të paguajë edhe një shumë më të lartë për italianin e Interit, për të cilin edhe Mançester Junajtidi dhe Ten Hag po bëjnë sondazhet e tyre. Interi po bën strategjitë e tij dhe nuk përjashtohet që surpriza në merkatos të vijë pikërisht nga emri i të larguarit.