Lautaro Martinez, kapiteni i Interit, mbetet një figurë qendrore për skuadrën zikaltër, pavarësisht se po kalon një periudhë pa gola. Në ndeshjen Inter-Komo, ai vrapoi drejt Markus Turamit për ta përgëzuar për golin e tij të 12-të në kampionat, duke treguar frymën e ekipit mbi suksesin personal.

Argjentinasi ka realizuar vetëm 5 gola në 15 ndeshje këtë sezon dhe nuk e ka gjetur rrjetën prej 554 minutash mes kampionatit dhe kupave. Në këtë pikë të sezonit të kaluar kishte shënuar 17 gola, por këtë vit po luan një rol të ndryshëm. “Roli im është ndryshe,” tha Lautaro, duke theksuar se është më i përqendruar në ndihmën për skuadrën dhe qarkullimin e topit.

Sipas shifrave, mesatarja e pritshme e golave për ndeshje ka rënë nga 0.52 në sezonin e kaluar në 0.36 këtë vit. Po ashtu, edhe numri i goditjeve mesatarisht për ndeshje ka rënë nga 3.56 në 2.94, duke shënuar një regres të dukshëm krahasuar me sezonet e mëparshme.

Martinez nuk ka shënuar që nga 3 nëntori kundër Venecias, ndërsa tani ka tetë ndeshje radhazi pa festuar një gol. Por kjo nuk është seria më e gjatë pa gola për të. Në sezonin 2021-2022, ai nuk shënoi për 10 ndeshje dhe u zhbllokua vetëm më 4 mars kundër Salernitanës. Momente të tilla kanë ndodhur edhe më parë, si në sezonin e kaluar, kur qëndroi pa gol nga fundi i shkurtit deri në maj.

Ndërkohë, Simone Inzagi po e mbështet maksimalisht kapitenin e tij, ndërsa ka transformuar Markus Turamin në një sulmues të vërtetë numër 9. Me 12 gola këtë sezon, Turam kryeson tabelën e golashënuesve, duke ndjekur rrugën e Lautaros që sezonin e kaluar fitoi këtë titull. Inzagi vazhdon të shquhet si një trajner që nxjerr në pah cilësitë më të mira të lojtarëve të tij, dhe suksesi i Turamit është një shembull i qartë i kësaj qasjeje.