Rruga drejt titullit të tretë kampion në futbollin e femrave sigurisht që nuk ka qenë e lehtë për Adën por kur objektivi arrihet, atëherë brenda ka edhe kënaqësi. Me barazimin e së shtunës ndaj rivales kryesore “Juban Danjës”, skuadra velipojake vazhdon të ruajë epërsinë prej dy pikësh ndaj saj dhe është shumë pranë titullit kampion. I pyetur në lidhje me këtë gjë, presidenti i këtij ekipi Lazër Matija per gazeten online www.shkodrasport.com ka thënë: “Mendoj se ende nuk mund të themi se jemi shpallur kampionë përderisa janë edhe tre ndeshje për t’u luajtur. Me barazimin që morëm ndaj rivalit tonë kryesor, sigurisht që jemi më të favorizuar për të dalë të parët sepse kemi ruajtur epërsinë prej dy pikësh me të.
Pavarësisht kontestimeve që mund të vijnë nga drejtuesit e ekipit kundërshtar, nuk mendoj se ishte një ndeshje që u vendos nga gjyqtari. Shtesa e lojës ka qenë 5 minuta e 15 sekonda dhe nuk e adi se çfarë duhet shtyrë më takimi. Ata mund të nxjerrin lloj- lloj alibish por e vërtetë është kjo. Ada ka tre kampionate që nuk është mundur dhe kjo nuk është rastësi, por ka ardhur si rezultat i punes se bere”. Presidenti Matija, njeriu që ka investuar për të ngritur këtë ekip dhe për ta bërë atë të pathyeshëm, e ndan suksesin edhe me disa nga protagonistët e tij. “Merita kryesore shkon për vajzat dhe familjet e tyre që kanë sakrifikuar jo pak për to. Pastaj është edhe trajneri Haxhiosmanoviç që ka një meritë të madhe në këtë sukses sepse përveçse një trajner i zoti dhe këtë e ka treguar edhe me Vllazninë, është edhe një njeri i jashtëzakonshëm. Bashkë me drejtuesit e tjerë të klubit jemi munduar të ndërtojmë një skuadër të mirë dhe jam krenar që kjo skuadër ende nuk është thyer nga askush dhe është shumë pranë titullit të tretë kampion”-ka thënë ai. Kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe tre ndeshje deri në fund të kampionatit dhe sigurisht që priten tre fitore dhe në fund titulli të shkojë sërish për Adën, titull ky që do jetë i treti rradhazi për të kur janë zhvilluar katër të tillë në vendin tonë.
Gjergj KOLA