Lazio është në kërkim të një mbrojtësi tjetër për krahun e majtë të mbrojtjes. Futbollisti shkodran Elseid Hysaj ka qenë një zgjedhje e dytë këtë sezon edhe pse ka luajtur në shtatë takime gjatë këtij sezoni si në krahun e majtë, por edhe në të djathtë. Megjithatë, vetëm një ndeshje e ka nisur nga minuta e parë, ndërsa gjashtë të tjerat është aktivizuar si zëvendësues.
Drejtori sportiv, Igli Tare, po mendon që të plotësojë dëshirat e trajnerit Maurizio Sarri, duke afruar një mbrojtës të majtë në ekip. Milosh Kërkez është një nga objektivat e lacialëve.
18-vjeçari hungarez ishte pjesë e moshave të Milan një sezon më parë, ku u transferua te hollandezët e AZ Alkmaar për vlerën e dy milionë eurove, por tashmë është kthyer një objektiv për mbrojtjen e Lazio.
Në shtatë ndeshje me ekipin e Sarrit, Elseid Hysaj ka luajtur për 179-minuta në fushën e lojës, teksa vetëm ndaj Cremoneses e ka nisur nga minuta e parë, ndërsa në gjashtë të tjerat ka hyrë si zëvendësues.
Maringlen ZHIVANI