Lazio mund t’ia lejojë vetes të ëndërrojë edhe për titullin e Serisë A.

Bardhekaltrit e shfrytëzuan më së miri mundësinë për t’iu afruar kreut (Juventusi u mposht 2-1 nga Verona), duke fituar 0-1 ndaj Parmës.

Tashmë diferenca mes bardhezinjve dhe skuadrës së drejtuar nga Simone Inzaghi është ngushtuar në vetëm 1 pikë (54 me53).

Golin e vetëm të sfidës së “Tardinit” e realizoi Caicedo në minutën e 41-të, pasi sulmuesi ekuadorian shfrytëzoi një top të mbetur në zonë, që i erdhi në formë asisti.

Në ato raste të pakta që u vu në provë, Thomas Strakosha u shfaq në lartësinë e detyrës, sikurse ishte rasti i minutës së 56-të, kur ndali goditjen e Caprarit.

Ciro Immobile u shfaq rrezikshëm në disa momente, por në këtë sfidë nuk ia doli të linte shenjë si golashënues, megjithatë mbetet i pakonkurrueshëm me 25 gola në garën për “Këpucën e Artë”.