Rafael Leao e pranon se ai nuk është ‘lojtar perfekt’ dhe se nuk ka ‘asgjë kundër’ trajnerit të Milanit, Paulo Fonseca, por ende ‘nuk pajtohet’ me disa kritika për etikën e tij të punës.

Sulmuesi aktualisht është i grumbulluar me Portugalinë dhe besimi i tij u rrit ndjeshëm nga performanca e tij në “Bernabeu”, ku Milani mundi Realin e Madridit 3-1 në Ligën e Kampionëve.

Sidoqoftë, ai u akuzua ende nga eksperti i Sky Sport Italia dhe ish-mbrojtësi i kuqezinjve, Alessandro ‘Billy’ Costacurta, se angazhohet vetëm në ndeshje të rëndësishme dhe se kishte një etikë të dobët pune, që do të thotë se ai nuk ishte mes 100 lojtarëve më të mirë në botë.

“Është e qartë se nuk jam dakord me këtë,” iu përgjigj Leao gazetarëve në kampin e Portugalisë.

“Kam kaluar një sezon të mrekullueshëm te Milani, por, si gjithë të tjerët, kam pasur ulje-ngritje. Sezoni sapo ka filluar. E di që nuk jam lojtari perfekt dhe ndonjëherë mund të bëj shumë më mirë.

Nuk jam i tronditur nga kjo kritikë, kam njerëz që më ndihmojnë të përmirësohem dhe ata janë ata që duhet t’i dëgjoj. Kjo kritikë thjesht më shtyn të përgjigjem në fushë.”

Fonseca mbajti qëndrim duke e ulur në stol Leaon për tri ndeshje radhazi në Serinë A, ndërkohë që ai zëvendësohet pothuajse gjithmonë kur e nis ndeshjen titullar.Sidoqoftë, ‘ylli’ portugez u përpoq të shmangte komente mbi një përplasje të supozuar në stërvitjen e Milanit me trajnerin.

“Këto gjëra ndodhin gjatë sezonit, unë nuk kam asgjë kundër tij dhe ai nuk ka asgjë kundër meje. Është rregulluar e gjitha. Nuk më pëlqen të jem në stol, natyrisht, por ai merr vendimet dhe unë si lojtar duhet të respektoj trajnerin. Kur futem në fushë, duhet të bëj më të mirën për të ndihmuar ekipin.”

Leao ka shënuar tre gola dhe ka dhënë pesë asistime në 14 ndeshje për Milanin deri më tani këtë sezon ndërmjet Serisë A dhe Champions League.