Shumë diskutime për Armando Brojën nëse do të duhej të ishte ai lideri i kombëtares shqiptare në majë të sulmit. Për më tepër këto diskutime u shtuan pas lënies jashtë listës së kombëtares të Sokol Cikalleshit dhe Myrto Uzunit.

Por ndërkohë krejt ndryshe mendon Ledio Pano. Ai ishte pjesë e panelit të të ftuarve në studion e “Real Story” dhe ka folur në lidhje me kombëtaren tonë dhe pjesmarrjen e saj në Europianin e muajit të ardhshëm në Gjermani.

Lista e shpallur nga Silvinjo ishte tema e diskutimit të emisionit. Pano ka shprehur vlerësimin e tij të lartë për Armando Brojën. Ish-lojtari i Kombëtares shqiptare ka thënë se 11-shja e kuqezinjve duhet të nisë pikërisht nga Broja.

“Broja është diçka tjetër për ne. Është tjetër stil, është tjetër cilësi. Është i pazëvendësueshëm. Për mua, 11-shja fillon nga Broja, pastaj vijnë të tjerët. Për cilësitë që ka, është gjë tjetër se çfarë jep dhe se çfarë mundësish ka”, është shprehur Ledio Pano.