“Nga sot nuk jemi më në garë për titullin kampion”. Këto kanë qenë fjalët e trajnerit të Partizanit, Xhovani Kolela, pas humbjes përballë Laçit.

Fjalë të cilat kanë lënë të shtangur një ikonë të klubit të kuq, Ledio Panon, i cili nuk i priste fjalë të tilla nga tekniku italian, duke llogaritur se kanë mbetur ende shumë javë deri në fund të kampionatit.

“Duke parë ndeshjet e mëparshme, ku përveç me Egnatian që luajtën mirë, këto deklarata të Kolelës janë të rënda për fanellën e Partizanit”, tha ai pas takimit duke analizuar sfidën për “Oversport”.

Pano insistoi se Partizani në këto momente ishte një skuadër ku secili bënte sipas qejfit dhe jo një ekip i kolauduar.

“Nëse në pjesën e parë u pa një dëshirë për të luajtur futboll e fituar, në pjesën e dytë pame një Partizan pa busull, pa ide, nuk rrezikoi asnjëherë. Pësoi edhe golin e dytë duke u mundur në fushën e lojës.

Është një moment jo i ekipit. Stafi duhet të marrë vendime se pashë lojtarë që nuk mundoheshin të jepnin asgjë. Secili mundohej të bënte gjërat sipas vetes, ishte një ekip komplet i shthurur, nuk pashë një luftë sportive”, theksoi Pano në fjalët e tij.