Ish-futbollisti i Partizanit, Ledio Pano, aktualisht në rolin e opinionistit në emisionin “Ti Bo Gol” në Oversport ka analizuar humbjen e Partizanit në Kukës, një sfidë e vlefshme për javën e 23-të të Superiores.

Ish-mesfushori nuk e fsheh mërzinë për këtë humbje dhe deklaron se Partizani është në një moment delikat dhe në 15 ditët e ardhshme mund të vendoset e ardhmja e klubit në kampionat.

“Partizani e humbi ndeshjen që në pjesën e parë. Në pjesën e dytë u mundua të rrezikojë, por pa efikasitetin e duhur. Mendoj që Cara mund të bënte diçka, por ai u zëvendësua. Të tjetër nuk ndihmuan aspak.

Më dukej një Partizan, ku secili mundohej që të bënte gol në mënyrën e vet dhe pa ide. Është një humbje që dhemb. Lufta bëhet më e ashpër, ndeshjet sa vijnë e vështirësohen. Vjen Vllaznia në Kupë, më pas derbi dhe sërish Vllaznia.

Kjo periudhë do të jetë vendimtare për ecurinë e Partizanit në Kupë dhe kampionat. Kjo humbje e vështirëson shumë ecurinë e Partizanit në luftën për titullin kampion”, ka thënë Ledio Pano. /Oversport/