Ish- futbollisti i njohur Ledio Pano ne nje interviste per mediat ka analizuar Superioren dhe ecurine e te gjitha skuadrave teksa ka vleresuar edhe ecurine e mire qe ka aktualisht Vllaznia, nderkohe qe ka shprehur pakenaqesi per lojen e ish- skuadres se tij, Partizanit.

“Janë shumë skuadra që luajnë për tre vendet. Janë Laçi, Skënderbeu, Dinamo, Tirana, Partizani dhe Vllaznia janë në garë për të plotësuar katërshen përfundimtare. Janë zhvilluar ndeshje të forta dhe të mira, por që cilësia nuk është aty ku duhet të jetë. Ekipet e kanë mendjen te katërshja dhe shoh një tolerim edhe në vendosje të Egnatias.

Jo se duan, por me ndryshimet që janë bërë, nuk është Egnatia e fillimit të kampionatit, por me të drejtë, sepse në këtë pikë që jemi dhe me pikavarazhin që është përpara, sigurisht që do të ruajë edhe forcat për t’i pasur të gjithë futbollistët në fazën finale. Shoh një rritje të lojës te Vllaznia, një ndryshim total nga ekipi i mëparshëm. Jo më kot ka bërë këtë rrugëtim të mirë dhe pozitiv me fitore të njëpasnjëshme.

Mbas shumë kohësh Vllazninë e shohim në vend të dytë. Sigurisht, nuk më vjen mirë për Partizanin. Pavarësisht se ka mungesa, organikën e ka dhe mënyra sesi po luan Partizani nuk më pëlqen. Tirana pas largimit të Hasanit dhe të tjerëve në janar, ka pësuar një rënie, por mendoj se e ka potencialin. Ka lojtarë me emër, që e njohin kampionatin dhe besoj se do të bëjë maksimumin për katërshen”.