Në prag të ndeshjes mes Skocisë dhe Shqipërisë ka folur edhe Sir Keni Daglish, ish-lojtari i famshëm skocez dhe ish-trajneri i Liverpulit.
Ai ka evidentuar faktin se Shqipëria nuk është si Belgjika dhe se Skocia duhet ta fitojë ndeshjen, duke ushtruar presion që në fillim. Daglish ka vlerësuar si jetësor edhe rolin e tifozëve në këtë ndeshje:
“Nuk ka dyshim që trajneri dhe lojtarët janë goditur nga jo humbje e thellë, edhe pse ishte vetëm një miqësore. E kam provuar vetë. Isha pjesë e ekipit që humbi 5-0 ndaj Anglisë në shkurt 1973.
Po më pas nuk u demoralizuam, por e morëm veten dhe u kualifikuam për finalet e Kupës së Botës 1974. Le të shpresojmë që diçka e ngjashme të jetë edhe tani, duke nisur nga ndeshja me Shqipërinë, ku duhet të ringrihemi.
Nuk është si me Belgjikën, që u rendit e treta në botë. Fatmirësisht, Shqipëria renditet e 58-a në botë. Duhet të marrim pikët maksimale në “Hampden Park”.
Shqipëria vjen me moral të lartë, pasi e ka fituar ndeshjen e parë. Nuk duhet t’i lëmë që ata të marrin kurajë me kalimin e minutave, por t’i vëmë në presion dhe të shënojmë. Trajneri duhet të punojë shumë me anën psikologjike, po aq sa edhe në anën taktike.
Natyrisht, për të fituar duhet të shënohen gola dhe Leigh Griffiths sulmuesi ynë kryesor, i ka aftësinë për të gjetur rrjetën. Nuk kemi shumë alternativa për numrin 9, por duhet të shënojmë shpejt.
Vijmë në ndeshjen e Shqipërisë jo në gjendjen ideale, por duhet të arrijmë të fitojmë në stadiumin tonë, ku tifozët do të luajnë rol jetësor”, – ka theksuar mes të tjerash legjenda skoceze, Daglish. / Vipsport/