Legjenda e Milanit, Franko Barezi, beson se klubi kuqezi po rikthehet në nivele të larta, në drejtimin e fondit Eliot, ndërsa ndër të tjera, vlerëson edhe zgjedhjen e Alesio Romanjolit si kapiten të “Djallit”.
ROMANJOLI – Më pëlqen vërtetë ai. Është një mbrojtësi i kujdesshëm dhe i përqendruar. Ka besimin e të gjithëve: shokëve të skuadrës, trajnerit dhe klubit. Cilësitë e tij janë të dukshme. Ishte zgjedhje e mirë që shiriti i kapitenit iu dha atij. Të tregosh veten tek Milani në moshën e tij, nuk është kurrë e lehtë.
EKIPI – Kjo skuadër di si të mbrojë mirë, sepse tashmë janë më kompakt. Meritat për këtë i takojnë Gatuzos. Fondi Eliot ka dhënë ndjesinë e një fortësie, dhe menjëherë ka transmetuar ambicie. Shpresoj që pronarët të bien në dashuri me Milanin, dhe të qëndrojnë për shumë vite.
Maldini dhe Leonardo e dinë mirë se çfarë do të thotë fjala “Milan”, dhe po ndjekin rrugën e duhur. Të dy erdhën në një periudhë të vështirë të Milanit, dhe bënë shumë mirë në merkaton e janarit.
DERBI – Këto ndeshje derbi janë të paparashikueshme dhe secila ka një histori më vete. A e dini se sa derbi i kam nisur si favorit, dhe pastaj kam dalë i humbur? Për momentin, klubi është i qëndrueshëm dhe skuadra po rritet. Do thosha se Milani po rikthehet.