Karl-Hainc Rumenige ka zgjatur kontratën e tij si drejtori i Bajern Mynihut edhe me dy vite të tjera. Ish ylli i Gjermanisë, marrëveshja e të cilit skadonte në dhjetor të 2019-ës, ka rinovuar deri në dhjetor të vitit 2021.

Menjëherë pas rinovimit të Rumenige, presidenti i Bajernit, Uli Hënes tha: “Kolegët e mi në bordin drejtues dhe unë vetë jemi shumë të kënaqur që kemi arritur një marrëveshje të re me Rumenigen.

Ai ka shfaqur në mënyrën më të mirë të mundshme cilësitë e tij në këtë post gjatë 16 viteve të fundit dhe jemi të sigurt se ai është njeriu i duhur për të udhëhequr me sukses Bajernin në vitet që do të vijnë.”

Ndërsa vetë Rumenige u shpreh: “Unë do të doja të falënderoj të gjithë kolegët e mi në bordin Ekzekutiv, të gjithë stafin dhe sidomos të gjithë anëtarët e bordit drejtues, që më besuan dhe më dhanë mundësinë të qëndroj në klubin që kam kaluar vite të shumta dhe të paharrueshme”.

Me kontratën e re, Rumenige do të jetë drejtor i Bajernit për thuajse dy dekada./vipsport/