Keni Daglish është një nga legjendat e klubit të Liverpulit dhe padyshim edhe një nga legjendat e futbollit skocez.
Ish-sulmuesi i njohur i viteve ’70-’80, kur cilësohej një nga golashënuesit më të mirë në qarkullim, ka treguar se po pret me padurim që të shohë ndeshjen mes Skocisë dhe Shqipërisë, ndërsa paralajmëron se nuk do të jetë aspak e lehtë.
“Të gjithë duhet të bashkohemi pas Aleks MekLish, pasi atij i është dhënë shansi të drejtojë vendin tonë drejt finaleve të Euro 2020.
Sigurisht, rezultatet nuk kanë qenë të shkëlqyera, por më e rëndësishmja është që ai përballet me dy ndeshje zyrtare në 10 ditët e ardhshme që mund të na bëjnë të hedhim një hap të madh drejt një turneu madhor.
Seriozisht, çfarë do të fitojmë po të jemi kaq negativ dhe të dëshpëruar?”, tha Sër Daglish në “Sunday Post”.
“jam i lumtur që kemi Stiven Fleçer përsëri në ekip. Ai është lojtar me eksperiencë dhe njeh rrugën e rrjetës. Unë do t’i jepja atij fanellën me numrin 9 për ndeshjen e të shtunës ndaj Shqipërisë.
Me Neismith që mungon, është e natyrshme që Fleçer të marrë këtë vend. Por pavarësisht ekipit që zgjedh Aleks të hedhë në fushë, unë do ta mbështet atë.
Të mundim Shqipërinë të shtunën në darkë është plotësisht brenda mundësive tona. Por edhe një barazim nuk do të ishte një rezultat katastrofik.
Sido që të jetë, do ta dinim në atë moment se çfarë rezultati na duhet ndaj Izraelit. Ndaj fokusi ynë duhet të jetë vetëm për ndeshjen e radhës”, theksoi Daglish në komentin e tij. /vipsport/