Vllaznia në futboll për femra është për rekorde. Ecuria e saj vetëm me fitore, gola të shumtë të shënuar dhe asnjë i pësuar, e bëjnë atë të ndihet krenar për skuadrën që drejton. Bëhet fjalë për Nikolin Lekën, trajnerin që drejton këtë ekip të shpallur pak ditë më parë “kampion i dimrit” në futbollin e femrave. “Vërtetë ndihem mirë që stërvis dhe drejtoj këtë ekip të pakonkurrueshëm. Dikush thotë se “kemi vrarë garën” por në fakt nuk është faji i Vllaznisë.

Presidenti Matija çdo vit shpenzon shumë lekë për të ndërtuar një ekip cilësor duke zgjedhur futbollistet më të mira për t’i bërë pjesë e ekipit. E nëse ne forcohemi, të tjerët nuk e bëjnë këtë gjë. Atëherë ku është faji ynë në këtë mes? Pavarësisht këtyre fjalëve që qarkullojnë, ne vazhdojmë punën tonë sepse objektivi është padyshim të paraqitemi denjësisht në Europë. Nëse para 2-3 vitesh, kundërshtarët tanë na mundin me 10 apo 15 gola diferencë, tani nuk ndodh kjo gjë, madje kemi arritur edhe të barazojmë dhe fitojmë ndaj tyre. Duam patjetër që të kalojmë një tur në Champions League dhe për këtë arsye, po punojmë fort për këtë gjë”- ka thënë ai për “SHKODRA SPORT”. Vllaznia e ka mbyllur fazën e parë të kampionatit me 9 fitore në po kaq ndeshje të luajtura dhe për më tepër me një golaverazh fantastik, 92-0. Ajo ndodhet 5 pikë larg Apolonisë së vendit të dytë dhe është thuajse kampione e Shqipërisë, titull ky që është i katërti rradhazi për të.

 

© shkodrasport.com