Vllaznia e femrave e ka mbyllur rrugëtimin e saj në Europë pas dy ballafaqimesh shumë dinjitoze me një emër të madh si Juventus. Pavarësisht dy humbjeve ndaj tij, 2-0 në Shkodër dhe 1-0 në Torino, vajzat shkodrane kanë treguar një nivel të lartë loje.
Trajneri Nikolin Leka pas ndeshjes së djeshme të luajtur në Itali, në një prononcim për “Shkodra Sport” është shprehur i lumtur për këtë ballafaqim dinjitoz të ekipit që ai drejton.
“është keqardhje ta mbyllim në këtë mënyrë, megjithëse pas gabimeve që bëmë ndeshjen e parë kemi shpëtuar ato dy gola që për ne u treguan që ishin fatalë. Ju e patë dhe vetë ndeshjen, ekipi reagoi shumë mirë, sidomos në pjesën e dytë ku nuk mund të krahasoje cili ishtë Juventusi dhe cila Vllaznia.
Për ne ishte e vështirë të luanim me 3 mungesa, por gjithsesi ne bëmë gjithcka në fushën e lojës, reaguam shumë mirë dhe pas atij goli të pësuar. Dua t’i falenderoj shumë ato vajza, që treguan karakterin e vërtetë.
Ne kemi thënë gjithmonë që vllaznia është në rritje, nuk do të ketë diferencë mes ekipeve të tjera dhe shpresoj që e ardhmja do të jetë shumë e mirë”.
Në lojë Vllaznia u shfaq si e barabartë dhe ndoshta diferencë dy ekipet kishin vetëm emrin. Të paktën kështu mendon trajneri Leka kur per “Shkodra Sport” shprehet:
” Vetëm nga emri mund të ishim më inferiorë se Juventusi, pjesa tjetër ishtë gjithçka e barabartë.”
Tashmë aventura europiane ka përfunduar dhe trajneri Leka i pyetur nëse i kishte mbetur peng diçka që ai nuk ka mundur dot ta realizojë, është shprehur:
” Normalisht që dicka më ka mbetur peng. 3 mungesa, por sikur të ishte ekipi i plotë, do të përfundonte ndryshe sot.”/SHKODRA-SPORT.COM/