Vllaznia është “fiksuar” pas titullit kampion. Veç 30 milionë lekëve që jep FSHF-ja, e shohin kupën si shpërblim për mundin e një viti në inferiore. Për këtë motiv, skuadra është duke punuar me angazhim maksimal para Bylisit. Grupi është i plotë, duke përjashtuar Alen Sherrin.
Portieri nuk mundi të rikuperohet në kohë dhe është 100% e sigurt që nuk do të jetë në fushë këtë të enjte. Mungesa e tij ka shqetësuar jo pak stafin teknik, e megjithatë Ideal Lekiqi mundohet që të qetësojë gjithkënd.
Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai thekson se Erind Selimaj do të jetë një garanci më shumë për kuadratin. “Alen Sherri ka bërë një sezon realisht të mirë dhe dëshira e tij ishte që të mos e humbiste këtë finale, por është e pamundur që të jetë në fushë.
Dëmtimi e penalizon, ndaj nuk mund të rikuperohet deri të enjten. E megjithatë, unë kam besimin e plotë te portierët e tjerë dhe kryesisht tek Erind Selimaj. Besoj se do të jetë një garanci për ekipin në këtë takim.
Mendoj se e meritojmë që të shpallemi fitues dhe marrin kupën e këtij kampionati. Vend për kënaqësi dhe krenari sigurisht që nuk ka, por mendoj se do të ishte shpërblimi i mundit të një viti”.