Trajneri i portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi, ka përgëzuar futbollistët e skuadrës shkodrane pas barazimit ndaj Laçit. I ftuar në emisionin “Sport Show”, tekniku tha se lojtarët bënë një performancë të kënaqshme, por shtoi se ndeshja mund edhe të fitohej nga Vllaznia.
Lekiqi foli edhe rreth karakterit të tij impulsiv gjatë ndeshjeve, ku edhe këtë javë ndaj Laçit u ndëshkua me karton të kuq, teksa u shpreh se ndoshta ndonjëherë e tejkalon me atë që ai bën, por theksoi se në momente të veçanta po bëhen padrejtësi kundër ekipit shkodran. Poashtu, ndër të tjera, trajneri i portierëve të Vllaznisë, deklaroi se ka dyshimet e tij te faulli nga ku erdhi edhe goli i Laçit me Akinyemi në minutën e 54-të.
“Karakteri impulsiv? Edhe unë jam ndalur dhe e kam menduar shumë herë me vete, por kjo është çështje e brendshme, është çështje karakteri dhe impulsi. Ndoshta, ndonjëherë edhe e tejkalojmë, por ka disa faktorë në fushën e lojës, që me të vërtetë janë për t’u ndalur.
Në fakt, janë faktorë që në momente të caktuara, adrenalina shkon në maksimum dhe janë bërë në vazhdimësi padrejtësi kundrejt ekipit tonë dhe më duket se kjo sindromë e keqe po vazhdon në momente të veçanta.
Megjithatë, pak rëndësi ka çfarë ndodh me mua dhe si sillem unë, sepse unë e shoh edhe prej në tribunë, nuk ka asnjë lloj rëndësie, por e rëndësishme është performanca e ekipit. Realisht, performanca ishte e kënaqshme këtë javë ndaj Laçit dhe duhet të kemi diçka parasysh se, Laçi është një ndër fushat më të vështira në kampionatin shqiptar.
Pozicionimi i Laçit në vendet e fundit të renditjes e shtonte vështirësinë e ndeshjes për ne sigurisht. Besoj se patëm mundësi për ta fituar ndeshjen, ashtu siç mund edhe ta humbisnim padyshim, sepse futboll është.
Megjithatë, kam dyshimet e mia te rasti i faullit, ku erdhi goli i Laçit. Për mendimin tim, nuk ishte faull, por megjithatë kjo është një pjesë tjetër. Nuk do t’i hyj kësaj pjese, por besoj që ekipi bëri një performancë të mirë dhe me pak përgjegjësi dhe më pak me konkluzion te porta, besoj se do ia arrinim të fitonim ndeshjen.
Mos të harrojmë faktin që kemi qenë të penalizuar edhe nga dëmtimet. Duhet theksuar kjo, sepse nuk janë pak, janë gjashtë futbollistë që janë “pit-stop” për momentin dhe janë 60-70% e ekipit. Kjo është një vështirësi plus, por gjej rastin t’i falënderoj ata djem që e kanë filluar lojën që nga minuta e parë, që kanë dhënë maksimumin dhe nuk kanë bërë që diferenca të ndihet në fushën e lojës”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi.
Maringlen ZHIVANI