Ideal Lekiqi, trajner i portierëve tek Vllaznia ka qenë mbrëmë i ftuar në Star Sport. Ish-gardiani ka komentuar për fitoren e fundit kundër Kukësit duke u shprehur se është rikthyer entuziasmi. Por gjithashtu duke ulur dozat e euforisë para ndeshjes kundër Tiranës këtë fundjavë, ku tregon se skuadra është më gati se kurrë.
Lekiqi tha: “Fitorja patjetër të jep gjithmonë kënaqësi, e për më tepër kur vjen me një lojë të mirë si kjo kundër Kukësit. Ekipi tregoi vendosmëri dhe dëshirë, por edhe cilësi duke e merituar fitoren në fushë. Ishte një reagim që na duhej pas asaj ndeshjeje kundër Erzenit, ku realisht ende e kam peng dhe në vetevete nuk mund ta pranoj. Pavarësisht se në futboll të tilla gjëra ndodhin.
Ky kampionat është shumë i çuditshëm pasi nuk ka thuajse asnjë ekip që bën diferencën. Çdo kundërshtar është i rrezikshëm prandaj çdo pikë ka vlerë në një Superligë kaq konkurruese.
Problemet e luhatjeve tek Vllaznia ? Mund të bëj të qartë se nuk ka probleme fizike apo harmonie. Çdo ditë punohet fort dhe djemtë janë të motivuar e japin makismumin. Ndoshta dëmtimet kanë ndikuar apo edhe disi edhe presioni që dikush e mban e dikush jo, e këtu lojtarët duhet të punojnë me veten.
Ndeshja më e vështirë? Këtë sezon ka qenë me Egnatian, ajo humbje 3-0. Ndërsa në të tjerat kemi zhvilluar lojën tonë pasi edhe pikët e tregojnë se vetëm 3 pikë larg kreut jemi.
Tirana ? Një ndeshje ku motivimi vjen vetvetiu, por ne nuk duhet të kalojmë asnjë herë në eufori. Ta luajmë me pozitivitein që e kemi nisur javën dhe besoj se në fund do shpërblehemi nëse do tregojmë tamam veten tonë. Vllaznia dhe emri i saj patjetër të kërkon gjithmonë fitoren dhe vendet e para të renditjes prandaj ekipi e ka të qartë objektivin sa herë zbret në fushë”.
Endri ÇINARI