Në vitet ’50- ’60 shumica e sportistëve nuk garonin vetëm në një lloj sporti por në disa prej tyre. Kështu ka ndodhur edhe me Eqerem Kosovën ose ndryshe siç e thërrisnin të gjithë- Lemi. Ka lindur në Shkodër në vitin 1935 dhe sportin e nis në moshë të vogël por shpejt do të bëhej i njohur, madje jo vetëm në një disiplinë. Ai ka konkurruar me sukses në tre lloje sporti: boks, mundje dhe peshëngritje. Megjithatë suksesin më të madh e ka patur tek boksi ku dhe ka arritur të shpallet kampion kombëtar. Karriera e tij ka zgjatur nga viti 1952 deri më 1958 dhe ka qenë e suksesshme. Në vitin 1952 Lem Kosova duke përfaqësuar Vllazninë në kampionatin kombëtar të boksit që zhvillohej në Durrës, arriti të shpallej kampion në peshën e lehtë. Po në këtë vit, Lemi do të shpallej kampion edhe në sportin e mundjes klasike, në kampionatin që u zhvillua në Elbasan. Titujt kampion nuk do t’i ndahen sepse edhe në vitin 1953 do të shpallej kampion në boks, sërish në peshën e lehtë por këtë herë duke përfaqësuar ekipin e Spartakut të Shkodrës dhe jo atë të Vllaznisë. Edhe në mundje sërish kampion i vendit këtë vit dhe po me Spartakun. Natyrisht që edhe paraqitjet e tij në sportin e peshëngritjes kanë qenë të mira dhe në kampionatin kombëtar të zhvilluar në Durrës në vitin 1952, duke përfaqësuar Spartakun, ai do të zinte vendin e dytë dhe të shpallej nënkampion i vendit. Natyrisht që nuk janë vetëm rezultatet që e bënë Lemin të njohur në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë. Ai ishte një njeri që të krijonte respekt. Trajneri i tij, Mjeshtri i Merituar i Sportit Shyqyri Halili deklaronte se “Lemin e karakterizonte një disiplinë shembullore në procesin sportiv. Ishte këmbëngulës, me mjaft vullnet dhe synonte të ishte korrekt në të gjitha drejtimet”. Por përveçse me trajnerin, Lemi ka patur një dashamirësi dhe harmoni të madhe edhe në marëdhëniet me shokët e ekipit si Ramiz Rraboshta, Nazmi Halili, Fadil Efovija, Dervish Efovija, Aleksandër Agaj etj. Një nga karakteristikat kryesore të Lem Kosovës si boksier, ka qenë goditja e tij shumë e fortë e për këtë ai vlerësohej si një boksier me peshë të madhe në goditjen e grushtit. Mbas rifilimit të sportit të boksit pas viteve ’90, Lemi bashkë me të vëllanë Enverin, kanë qenë shpesh në palestrën e boksit të Vllaznisë për të mbështetur boksierët e rinj që kishin nisur rrugëtimin në këtë sport të bukur e po ashtu edhe për të mbështetur trajnerin Zef Gjoni dhe stafin e tij në misionin e marrë për të nxjerrë kampionë.
Ka vdekur në shkurt të vitit 1995 në moshën 60 vjeçare nga një aksident i cili e ndau përgjithmonë nga familja, shokët, miqtë dhe po ashtu edhe nga sporti megjithatë duke lënë një emër të mirë prapa.
Gjergj KOLA