Trajneri Christian Panucci mund të quhet edhe i pafat, ndër shumë epitete që mund t’i vendosen. Ditën e sotme ka humbur dhe një futbollist tjetër për ndeshjet kundër Skocisë dhe Uellsit. Ermir Lenjani ka braktisur përfundimisht grumbullimin e kombëtares, pasi nuk ia ka dalë të jetë i gatshëm për dy sfidat e radhës.

Ai erdhi i dëmtuar nga ekipi i tij Sioni dhe ditën e djeshme zhvilloi një seancë të diferencuar së bashku me Eros Grezdën. Pas konsultimit me stafin mjekësor të ekipit përfaqësues, mbrojtësi i krahut të majtë vendosi të kthehej sërish në Zvicër. Anësori i majtë, i cili ka luajtur edhe si sulmues krahu kohët e fundit, nuk do të rrezikojë ta pësojë më keq.

as Loret Sadikut që na refuzoi, Ramadanit që ka dëmtuar dorën dhe Balliut që nuk e la Metz-i, tashmë është radha e Lenjanit për të lënë grumbullimin e ekipit tonë përfaqësues. 29-vjeçari ishte një nga futbollistët më në formë momentalisht, pasi po luante rregullisht dhe kishte gjetur dhe rrugën e rrjetës. Mbetet për t’u parë se kush do ta zëvendësojë prishtinaliun.

Në seancën e sotme stërvitore, Panucci ka hasur probleme dhe me Eros Grezdën dhe Migjen Bashën. I pari ka probleme dhe vazhdon të stërvitet diferencuar. Sulmuesi anësor ende nuk është bashkuar me ekipin. Nga krahu tjetër, mesfushori shqiptar ka nisur me një ritëm më të lehtë, pasi luajti për 90 minuta me Arisin në ndeshjen e së hënë. Ai iu bashkua kombëtares për ndeshjen ndaj Uellsit, pasi ndaj Skocisë është i pezulluar.