Provat e fundit përpara Kosovës kanë sjellë një formacion të ri për Kristian Panuçin, i cili përballë Kosovës do të hedhë në fushë një skuadër me moshë mesatare rreth 25 vjeç,
që është praktikisht shumë e ulët dhe që mund të thuhet se parashtron kursin e ri, atë për të përgatitur eliminatoret e Europianit 2020, edhe pse disa futbollistë mungojnë për shkak dëmtimesh (Abrashi dhe Xhaka mbi të gjithë), apo formë e dobët.
Risia ndaj Kosovës ka të bëjë sidomos me “paketën” e mbrojtjes, ku Mërgim Mavraj, futbollisti me më shumë përvojë bashkë me Hysajn, ndoshta edhe për shkak të faktit se është duke ndjekur agjërimin në muajin e Ramazanit, do ta nisë nga stoli, teksa në vend të tij do të jetë Veseli, që ka bërë mjaft mirë me Empolin, skuadër që u ngjit në Serinë A.
Ndërkohë, përkrah tij do të jetë Berat Gjimshiti i Beneventos. Hysaj do të jetë padroni i krahut të djathtë, si gjithmonë, ndërsa në të majtë një shans për Bujar Likën, që këtë herë do të provohet në të majtë për mungesë alternativash.
Sa i përket mefushës, planet e Panuçit kanë ndryshuar në fund, duke qenë se Lenjani nuk është në kondicionin e duhur fizik dhe trajneri pret ta rikuperojë për ndaj Ukrainës.
Sakaq, vendin e tij do ta marrë zbulimi i këtij sezoni në Superligë, Sindrit Guri i Kukësit, i transferta te Ostende gjatë merkatos, përpara se ajo të niste zyrtarisht.
Golashënuesi shqiptar në Superligë do të provohet mesfushor i avancuar krahu, ndërsa në anën tjetër do të veprojë Roshi, që disa ditë më parë festoi 27-vjetorin e lindjes.
Por, qendra është ajo që do të bëjë filtrimin e manovrave dhe aty do të veprojnë tre futbollistë shumë të rinj, mosha mesatare e të cilëve është vetëm 22 vjeç.
Ramadani dhe Ndoj do të veprojnë përpara mbrojtjes, teksa përpara tyre do të jetë Qaka futbollisti i cili duhet të futet në sulm dhe të shfrytëzojë hapësirat që mund të lirojë Cikalleshi, i përzgjedhuri i Panuçit.