Rrokadë trajnerësh tek ekipi i çiklizmit të Vllaznisë. Leonat Kola që deri para pak ditësh ka mbajtur edhe postin e presidentit të këtij ekipi, ka marrë detyrën e trajnerit. Ndërkohë, trajneri i mëparshëm Sabetin Hoxha ka marrë drejtimin e ekipit të të rinjve. Nayrisht që lëvizje të tilla janë bërë nga drejtuesit e klubit për t’i dhënë edhe më shumë prioritet këtij ekipi që vitin e kaluar ka bërë paraqitje shumë të mira në të gjitha garat kombëtare ku ka marrë pjesë. I pyetur nga shkodrasport.com në lidhje me përgjegjësinë që e pret tashmë pas marrjes së kësaj detyre, trajneri Kola është shprehur:
“Sigurisht që është një përgjegjësi e madhe të marrësh këtë detyrë kur ke parasysh se kush kanë qenë trajnerët e mëparshëm të këtij ekipi që kanë bërë edhe historinë e çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar. Por meqë mu kërkua një gjë e tillë, e kam marrë me shumë dëshirë dhe do të bëjmë maksimumin që ta çojmë edhe më përpara. Para dy vitesh, çiklizmi në Shkodër pothuajse nuk ka ekzistuar fare por me punën e bërë, çdo gjë tashmë është ndryshe. Unë dua të falenderoj edhe trajnerin e mëparshëm Sabetin Hoxha për punën që ka bërë me ekipin por kuptohet që duhet ta çojmë përpara. Kam mbështetjen edhe të dy ish- çiklistëve të njohur Brahim Syka e Hilmi Lala e po ashtu edhe të dy miqve të tjerë edhe ato ish- çiklistë që jetojnë e punojnë në Itali, Aleksander Lazri dhe Festim Meti që po na qëndrojnë afër edhe me sigurimin e bazës materiale, pa lënë mënjanë edhe punën e menaxherit të ekipi William Hunter dhe të gjithë sëbashku po mundohemi të ngremë sërish atë Vllazni që ka dominuar në çiklizmin shqiptar”. Ndërkohë, ditën e shtunë do të zhvillohet edhe gara e parë e këtij viti, pikërisht kupa “26 marsi” në Kavajë dhe objektivi i çiklistëve të Vllaznisë sipas trajnerit Kola është i qartë: “Objektivi jonë në çdo garë që do të zhvillojmë me kadetët, është i qartë: zënia e vendeve të nderit. Vllaznia do të vijojë të rritë rezultatet e saj sepse ka interes nga të rinjtë për këtë sport, madje shpeshherë nuk mund t’i plotësojmë me bazën e duhur materiale dhe në fakt ky është një lajm i mirë”.
© shkodrasport.com