Pas deklaratës së dy ditëve më parë të trajnerit të Vllaznisë Zef Gjoni që thoshte se tashmë presidenti i Federatës Gjergj Leqejza është i shkarkuar, ky i fundit nuk ka dashur t’ia dijë për këto fjalë. I kontaktuar nga gazeta, numri 1 i Federatës Shqiptare të Boksit, ka dashur t’i anashkalojë deklarata të tilla duke thënë: “Sërish ka folur trajneri Gjoni? Ia kam bërë të ditur se punën më të mirë që ai di të bëjë, është të stërvisë sportistët. Le të vazhdojë ta bëjë këtë gjë. Për problemet e tjera ka se kush të merret”. Kaq ka mjaftuar për të thënë se polemikat do të vazhdojnë. Ajo që pret tashmë shumica e komunitetit të boksit, është mbledhja e Asamblesë së Jashtëzakonshme e cila do të zgjedhë edhe drejtuesit e rinj. Presidenti aktual duket se e ka kuptuar që ka kundër një pjesë të konsiderueshme të ekipeve si dhe të anëtarëve të kryesisë dhe do të jetë i detyruar të thërrasë Asamblenë. Ideja paraprake kjo është, se çfarë do të ndodhë në vazhdim, kjo mbetet për t’u parë.

© shkodrasport.com