Joakim Lëv la të priste një komb të tërë për rreth gjashtë ditë, për të marrë një vendim në lidhje me qëndrimin e tij në stolin e kombëtares. Ai do të qëndrojë edhe në të ardhmen në krye të pankinës së “Pancerave” edhe pas eliminimit drastik në fazën e grupeve ku fituan vetëm një ndeshje, atë me Suedinë.

Gjithsesi, kjo nuk mjaftoi për të vazhduar aventurën në Rusi. 58-vjeçari do të fokusohet te Europiani i vitit 2020. Edhe pse nuk kishte akoma një komunikim zyrtar nga Federata Gjermane e Futbollit, mediat në vend raportojnë për një vendim të sigurt të trajnerit.

Kujtojmë që “Dfb” ka rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2022. Më pas, federata lëshon një deklaratë ku thuhet se trajnerit do t’i besohet skuadra për të ardhmen.

Çfarë tha presidenti Grindel për Lëv

Të premten presidenti i federatës gjermane deklaroi se bordi drejtues dhe anëtarët e tjerë në institucion kishin shprehur besimin për të vazhduar me Lëvin.

“Unë jam i mendimit që duhet të vazhdojmë atë çfarë nisëm disa vite më parë me trajnerin aktual. Besoj dhe se ortakët e mi mendojnë të njëjtën gjë”, tha Grindel.

Ndërkohë, trajneri u shpreh mirënjohës për këtë vendim të tyre. “Falënderoj federatën për besimin që kanë shprehur tek unë. Kritikat në adresë të skuadrës dhe mua kanë qenë të drejta.

Zhgënjimi ka qenë i madh edhe këtu tek unë. Por, dua të punoj me të gjitha forcat për t’u ringritur sërish. Do të mblidhem me stafin tim dhe do të analizojmë të gjithë situatën dhe do të marrim vendimet e duhura”, u shpreh Lëv.

Ai ka mundësinë të tregojë që ka bërë ndryshime që në ndeshjen e gjashtë të shtatorit kundër Francës në Ligën e Kombeve, aty përveç gjelave, kundërshtar është edhe Holanda.

Autoriteti i Lëv është lëkundur

Trajneri nuk është më ai i mëparshmi, kjo jo vetëm për rezultatet e dobëta në ndeshjet e grupeve që sollën eliminimin. Lëv duket se gaboi edhe në menaxhimin e lojtarëve jashtë fushës së lojës.

Rasti i Manuel Nojerit, që erdhi pas më shumë se 8 muaj pushim, pas një dëmtimi në fillim të sezonit me Bajernin. Ter Shtegen dhe të tjerëve sigurisht nuk u ka pëlqyer kjo zgjedhje e tij për ta aktivizuar vetëm me dy ndeshje miqësore.

Këtu nuk u mor parasysh fare fakti i meritokracisë. Ter Shtegen zhvilloi një sezon fantastik të Barcelona, duke treguar një nivel të lartë. Leroi Sane, talenti gjerman që luan për Mançester Siti, u largua para se të fillonte Botërori në listat përfundimtare.

Një vendim që mërziti një komb të tërë, por që ishte i gatshëm ta falte trajnerin nëse do të zhvillonte një Botëror dinjitoz. Mungesa e tij u ndje shumë në repartin e sulmit.

Ku në dy ndeshjet e fundit rolin e tij e bëri Verner, që kaloi nga pykë në sulmues krahu. Një tjetër fakt që solli dështimin e tij ishte edhe përzgjedhja e dobët e ndeshjeve miqësore në prag të kampionatit botëror. Këtu faj nuk kishte vetëm Lëv, por edhe ndihmësi i tij, Oliver Birhof që merret me menaxhimin e skuadrës.

Skuadra do të marrë një fytyrë të re

Edhe pse për momentin asnjë nga kampionët e botës e vitit 2014, nuk do të tërhiqet nga kombëtarja, shumë pak prej tyre do mund t’ia dalin deri në atë të ardhshmin.

Në Katar 2022, disa nga ata do të jenë mbi 30 vjeç. Julian Draksler, Matias, Ginter, Leroi Sane, Timo Verner dhe Joshua Kimish do të jenë në kulmin e karrierës së tyre.

Këtë Lëv e pohoi edhe gjatë një interviste, vetëm pak orë pasi kishte lënë jashtë yllin e Mançesterit. “Mendoj që Sane do të ketë mundësi të tjera për të punuar me ne.

Jam i bindur që në të ardhmen shumica e lojtarëve që janë tani, do të jenë më të pjekur dhe mund të arrijmë shumë nëse i bëjmë gjërat siç duhet”, tha Lëv. Ai beson te një gjeneratë e artë e futbollit gjerman. Për ta udhëhequr atë, atij i duhet besuar në të ardhmen.