Besëlidhja ka vendosur të bëjë një ndryshim të rëndësishëm në ekip. Sezoni i fundit u mbyll me Gledis Lanin në pankinë, por nga ky moment i është besuar drejtimi i ekipit një tjetër trajneri.
Do të jetë Ndriçim Kashami ai që do të jetë në krye të pankinës së lezhjanëve sezonin e ardhshëm.
Kavajasi drejtoi vjet skuadrën e Apolonisë, ndërkohë që më parë ka punuar si trajner i parë te Luzi 2008. Tashmë për të nis një eksperiencë e re.
PLANI – Në Lezhë kanë menduar që ekipi të bazohet tek lojtarët vendas dhe të rinjtë, ndaj edhe kanë përzgjedhur të bashkëpunojnë me Kashamin.
Tek Apolonia ai ka punuar me të rinjtë, ndërkohë që edhe te Besa ka punuar me ekipet e moshave. Kavajasi është parë si kandidati më i përshtatshëm nga Besëlidhja, që tani do të nisë të mendojë për ekipin e sezonit të ri.
Me shumë mundësi lezhjanët do të zbresin në fushën e blertë në fillim të muajit korrik.
Gjatë kësaj periudhe drejtuesit dhe trajneri i ri do të kenë mundësinë të bëjnë afrimet e duhura për të përballur më pas kampionatin.
Nga ekipi lezhjan ka pasur edhe largime, ku spikat Ndreca që ka veshur fanellën e Teutës, por nuk do të jetë i vetmi.
Gjithsesi në Lezhë janë të bindur se do të mund të ndërtojnë një ekip kompetitiv sezonin e ardhshëm.
Rikthimi në Superiore është një mision i vështirë në fakt, duke patur parasysh që në grup me ta këtë sezon do të jetë edhe Vllaznia. /EDS/