Esat Mala është një nga lojtarët e përmendur për t’u afruar në këtë merkato vere te Kukësi. E ndërsa Partizani i ka mbyllur derën për shkak të sjelljes së tij në përfundim të sezonit, verilindorët shihen si skuadra që mund të përfitojë shërbimet e shtatshkurtrit. Mirëpo deri tani nuk ka asgjë zyrtare dhe gjithçka mbetet në kuadrin e dëshirës.
Trajneri Skënder Gega e njeh mjaft mirë, pasi e ka trajnuar në vitin e titullit kampion te Partizani. Për këtë Newsport.al kontaktoi vetë futbollistin. Por, nuk pranoi të jepte një përgjigje. Siç duket largimi nga të kuqtë nuk i ka sjellë pistën që dëshironte dhe një kalim i mundshëm te Kukësi e ka lënë pa “fjalë”.
Esat Mala u transferua me mjaft bujë në merkaton e verës së shkuar në Turqi te skuadra e Girensuspor. Shtatshkurtri u duk se do të kishte një karrierë të mirë, por në shtetin turk i mjaftoi vetëm faza përgatitore. Pikërisht gjatë përgatitjeve atje e nxorrën jashtë planeve dhe u detyrua te kthehej edhe një herë te Partizani në formë huazimi. Me të kuqtë u aktivizua në 35 ndeshje duke shënuar 2 gola.
Pas përfundimit të edicionit futbollistik vrapoi sërish drejt Turqisë me idenë e përfundimit të huazimit te “demat”. Por, këtë radhë e pa veten edhe më keq. Klubi i Girensuspor e kishte nxjerrë plotësisht jashtë organikës duke mos qenë as në ekipet zinxhirë. Në këtë mënyrë doli lojtar i lirë në pritje të ofertave të reja nga Shqipëria dhe ëndrrës së madhe për të luajtur një ditë në tapetet europiane./newsport/