Rreth një muaj përpara fillimit të kampionatit, Liga Profesioniste e futbollit shqiptar nuk do të arrijë të fillojë sezonin me funksionin e saj maksimal.

Presidenti i saj, Edvin Libohova, në një intervistë për Top Channel tregon vështirësitë e fillimit të këtij institucioni të ri dhe se çfarë hapash janë marrë deri më tani.

“I kemi kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit pjesëmarrje në disa komisione kryesore si në atë për caktimin e gjyqtarëve, në komisionin e disiplinës dhe në komisionin e vlerësimit”.

Ndërkohë që klubet shqiptare mbyllën një sezon me shumë vështirësi financiare dhe përveç kësaj, 4 prej ekipeve të Superiores duhet të plotësojnë kriteret e licencimit për të marrë pjesë në Superligën e vitit të ardhshëm.

Kriteri financiar mbetet “thembra e Akilit” për klubet ku katër prej tyre, Tirana, Luftëtari, Vllaznia dhe Flamurtari pritet t’i zgjidhin brenda datës 31 korrik.

“Ky është një biznes, ku ka kritere dhe gjithkush duhet ta shohë sportin si argëtim dhe jo detyrim për të shkrirë bizneset e veta e të investojë në futboll. Ka presidentë që kanë marrë kredira nëpër banka e janë futur ne borxhe për këtë arsye. Kështu që këto kritere rigoroze për licencimin e klubeve i ndihmojnë edhe vetë këta biznesmenë”.

Data 20 qershor duhet të ishte fati i fundit për përmbushjen e premtimit 100 ditor që kryeministri Rama dha në mbledhjen e fundit me klubet e Superligës shqiptare, për paketën e re fiskale. Libohova tregon se tashmë gjithçka ka mbetur në dyert e Ministrisë së Financave.

“Fatura e paketës së re fiskale që i kemi çuar Ministrisë së Financave është rreth 34 milionë euro në vit për të gjitha sportet jo vetëm për futbollin. Ky është një moment revolucioni në sport që do t’i bëjë shumë mirë”.