Libri më i ri i dalë në tregun suedez, “Match Fixing”, flet për lidhjet e forta mes mafies ballkanase me futbollistët e kategorive të ndryshme në kampionatet suedeze.
Në ndikimin e rezultateve, rolin kryesor e luajnë mafiozë me origjinë shqiptare, kosovare, boshnjake dhe serbe.
Të gjithë janë personazhe të njohur për organet e rendit në Suedi. Gazetarët kanë udhëtuar në Shqipëri dhe Kosovë, ku kanë gjetur agjentë të futbollistëve me origjinë nga Ballkani, të cilët janë të dyshuar nga policia suedeze për ndikime në rezultatet e ndeshjeve.
Investigimi i gazetarëve suedezë nxjerr në pah se të përfshirë në ndikimin e ndeshjeve në Skandinavi janë edhe drejtues të lartë në futbollin shqiptar dhe në Kosovë.
Pjesë e investigimeve të kryera nga Magnus Svenungsson dhe Jens Littorin ishte edhe ish-gazetari i “Fiks Fare”, Ervin Dushi (V.Ö), i cili bëri të mundur kontaktet me futbollistë nga Shqipëria, Kosova e Bosnja, si dhe intervistimin e një pjese të tyre në vendet përkatëse.
Në “rrjetën” e gazetarëve nuk mungojnë as arbitrat, të cilët nuk ngurrojnë të japin penallti të padrejta apo faulle inekzistentë.
Rasti më domethënës është edhe arbitri me origjinë boshnjake, i cili në bashkëpunim me shqiptarin nga Kosova, D.B, fiksojnë ndeshje të kategorive të dyta me shuma nga 10 deri në 50 mijë euro.
Pas investigimeve të kryera dhe publikimit të tyre nuk kanë munguar kërcënimet nga elementë kriminalë me banim në Suedi dhe Shqipëri./panoramasport/