FSHF—ja ka bërë të ditur nëpërmjet faqes së saj zyrtare se tashmë ka përfunduar paraqitja dokumentacionit nga të gjithë klubet e Superiores për licencimin e tyre për në Kupat e Europës.

Një proces që ka nisur shumë kohë më parë dhe tashmë u takon ekspertëve të fushës të marrin një vendim për licencimin ose jo të klubeve, në bazë të dokumentacionit të paraqitur.

Kriteret që duhen përmbushur janë kriteri sportiv, i infrastrukturës, administratës dhe personelit, ligjor dhe financiar.

Javën e ardhshme Komisioni i Licencimit në FSHF do të bëjë me dije, nëse klubet do të licencohen apo jo.

Janë disa klube të Superiores që janë të rrezikuara, për shkak të borxheve të prapambetura dhe këtu bëjnë pjesë Flamurtari dhe Luftëtari.

Vlonjatët kanë disa çështje të hapura në këtë drejtim, kurse gjirokastritët sapo kanë humbur një gjyq me ish-lojtarin Bojom.

Nga përvoja e fundit, vështirë që këtë radhë FSHF-ja të “mbyllë njërin sy” këtë radhë, pasi mund t’i ndodhë si me Tiranën, që u licencua nga institucioni që drejton futbollin në vend, por UEFA konstatoi shkelje dhe nuk i dha fondin që i takonte për pjesëmarrjen në Ligën e Europës.

Flamurtari dhe Luftëtari mbeten të rrezikuar. Luftojnë të dy për në Kupat e Europës, por së pari duhet të plotësojnë kriteret e kërkuara nga UEFA, që të mos u shkojë mundi kot. Java e ardhshme do të qartësojë gjithçka. / Vipsport/