Pak minuta më parë ka përfunduar në Federatën Shqiptare të Futbollit gjyqi mes ish-futbollistit Suad Lici dhe klubit të futbollit Vllaznia. Lici pretendonte për një kontratë të pazbatuar nga ana e klubit që nga viti  2006 dhe për rrjedhojë kërkonte dëmshpërblimin prej  31 mijë e 200 dollarësh. Juristët e Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve pranë FSHF-së kanë dëgjuar palët dhe në fund kanë marrë vendimin: Klubi i futbollit Vllaznia i detyrohet Suad Licit pagimin e shumës prej 31200 dollarësh për kontratën e pazbatuar prej vitesh. Njëkohësisht klubi Vllaznia duhet të paguajë edhe një shumë prej më tepër se 1 milionë lekësh të vjetra për shpenzimet e këtij gjyqi. Në këtë mënyrë duket se do marrë fund pas plot 5 vitesh kjo çështje megjithatë në vendimin e mbrëmjes së sotme thuhet ndër të tjera që brenda 21 ditësh, klubi Vllaznia mund ta apelojë këtë çështje. Se ku do ta apelojë, kjo është e paqartë. Vetë Lici ndërkohë duke u shprehur për ëëë.shkodrasport.com menjëherë pas daljes nga gjyqi, ka thënë: “Jam i kënaqur që më në fund kjo çështje mori zgjidhjen e duhur. Shpresoj që kjo të jetë një mësim për Vllazninë dhe klubet e tjera për të mos ngrënë hakun e futbollistëve”.