Administratori i Vllaznisë Suad Lici beson se shkodranët do të arrijnë të marrin pjesë në kompeticionet europiane për sezonin e ardhshëm nëse gjykimi nga ana e arbitrave do të jetë korrekt.

Për “Star Plus”, ish-futbollisti shkodran shpreson që kuqeblutë të fitojnë nesër në “klasike” kundër Tiranës në “Loro Boriçi” duke u bazuar te bilanci pozitiv që Vllaznia ka kundër Tiranës në Shkodër.

“Sfida historike me Tiranën – Besoj shumë që këtë ndeshje ne do të japim më të mirën për të fituar. Mendoj që ka ardhur momenti ta mposhtim Tiranën. Vllaznia ka pasur bilanc pozitiv me Tiranën, në Shkodër sidomos. Është një fitore që na jep shumë vlera për arritjen e objektivave tona. Do e marrim ndeshjen me qetësi, por normalisht do të luajmë për të fituar.

I ka veshur të dyja fanelat – Unë kam emocion vetëm për Vllazninë. Si ‘ish’ normalisht kam respekt për Tiranën dhe drejtuesit e saj. Kam kaluar vite shumë të mira atje si sportist, por tani jam drejtues këtu dhe dëshiroj të fitojë Vllaznia.

Arbitrat – Natyrisht janë pjesë e futbollit, edhe ata gabojnë. E rëndësishme është që të mos gabojnë me qëllim. Kështu si po vjen kampionati, do të bëhet gjithmonë e më i vështirë. Nëse gjykohemi drejt, mendoj se do jemi brenda objektivave që kemi vendos: për të qenë në vendet e para dhe për të marrë pjesë në kupat e Europës”, përfundoi administratori i Vllaznisë Suad Lici.