Humbja përtej sh tesës e ka tronditur jo pak Vllazninë. Tashmë që Skënderbeu i shkëputet me 4 pikë, gjithçka bëhet më e vështirë për këtë skuadër për të qenë sa më lart në tabelën e renditjes.
Me sa duket, tani te Vllaznia ka filluar që të ndihet edhe frika e kalimit në “play out”. Kjo ka bërë që drejtuesit të fillojnë dhe të mendojnë për të ndryshuar situatën, e cila tanimë po u duket më e pakuptimtë.
Administratori Suad Lici dhe stafi teknik janë mbledhur në kafe për të diskutuar për atë që nuk shkoi si duhet në këtë takim. Vetë administratori në fund të takimit nuk e ka fshehur mërzinë, jo vetëm për humbjen, por për më tepër për atë që skuadra nuk po prodhon lojë.
“Nuk e di çfarë po ndodh. Që ka gjëra, të cilat nuk shkojnë, kjo nuk ka asnjë dyshim, por do të na duhet të gjejmë sa më shpejt që ta ndryshojmë këtë situatë”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, administratori ka theksuar edhe faktin se skuadrës nuk po i mungon asgjë, në asnjë drejtim.
“Ne kemi bërë punën tonë, çfarë është kërkuar kemi bërë. Gjithçka ka qenë siç është kërkuar. Këto të mërzisin më shumë kur sheh këto rezultate”, ka vënë theksin administratori kuqeblu, Suad Lici.