Federata Spanjolle e Futbollit ka nisur një hetim zyrtar kundër gjyqtarit Manuel Munuera Montero, i cili gjatë kësaj fundjave drejtoi ndeshjen shumë të diskutuar mes Osasunës dhe Real Madrid.

Kryesori dyshohet për konflikt të hapur interesi, pasi aktivitete e tij jashtë fushës së lojës përplasen me detyrën e gjyqtarit.

Munuera Montero, i cili u bë protagonist sidomos për kartonin e kuq të famshëm që i tregoi Xhud Bellingam, ka hapur një kompani e cila quhet “Talentus Sport”, e cili ka si objektiv konsultimin dhe menaxhimin sportiv. Mes klientëve të saj raportohet se janë edhe La Liga, UEFA, Federata Spanjolle dhe klube profesioniste mes të cilave Atletiko Madrid, Mançester Siti, Aston Vila e PSG.

Kjo lidhje me klube jashtë fushës së lojës ka bërë që Federata të nisë hetimin, sidomos pas akuzave të forta që kanë ardhur nga Real Madrid se po veprohet me dashje kundër tyre për interesa të caktuara. Nëse verifikohet se Munuera Montero nuk ka raportuar lidhjet që ka jashtë fushës dhe çfarë janë “këshillimet” që u jep ai atyre, mediat spanjolle bëjnë të ditur se ai rrezikon nga gjoba 100 mijë euro, deri në pezullimin deri në 5 vite.