Kampionatet e Ligës Amatore të Zonës së Veriut sot kanë ulur siparin e tyre duke shpallur edhe më të mirët. Ka ndodhur kështu pas përfundimit të ndeshjeve finale dhe më pas është zhvilluar ceremonia përkatëse e vlerësimit të ekipeve më të mira por edhe të lojtarëve më të mirë. Kështu, në kategorinë U-9, kampion është shpallur ekipi “Shkodra 2006” i cili pak kohë më parë u shpall edhe fitues i kupës “Esat Rakiqi”.
Në finalen e sotme, ky ekip ka mundur atë The Door. Në kategorinë U-11 kampion është shpallur ekipi “Rozafa” që në finale ka mundur Rrëshenin. Ndërkohë, finalja e kategorisë U-13 është diskutuar në mes dy ekipeve të Akademisë Vllaznia, atij A dhe B dhe në fund ka triumfuar Vllaznia B që ka fituar 2-1 finalen dhe është shpallur kampione e kësaj grupmoshe. Një trofe ka shkuar në këtë kampionat edhe për lezhjanët e Portos që janë shpallur kampion me 15 vjeçarët. Akademia Vllaznia ka marrë edhe një tjetër titull kampion, atë të 17 vjeçarëve duke mundur në finale 5-0 Shkodrën. Zyra Rajonale e FSHF-së në Shkodër ka shpallur edhe lojtarët më të mirë sipas grupmoshave që janë: Brendon Krepi- Shkodra 2006 për grupmoshën U-9, Smerald Marshija i ekipit Rozafa për grupmoshën U-11, Albion Kurbasha i Vllaznisë A për U-13, David Markun e Portos për kategorinë U-15 dhe Joald Ivzikun e Shkodrës për kategorinë U-17.
© shkodrasport.com