Një përballje titanësh pritet sonte në “Allianz Arena”, ku Bayern Munich pret Interin për çerekfinalen e parë të Champions League. Dy nga skuadrat më të mëdha të kontinentit do të përplasen në një sfidë që premton ritëm të lartë, intensitet dhe emocione. Me mungesa të rëndësishme në të dyja kampet, gjithçka mbetet e hapur për një natë europiane të paharrueshme.
STATISTIKAT E BAYERN-INTER
Kjo do të jetë përballja e 10-të mes Bayern Munich dhe Interit në kompeticionet europiane, me skuadrën gjermane që ka fituar 5 nga 9 takimet e mëparshme (1 barazim, 3 humbje), përfshirë edhe përballjen më të fundit në Champions League (fitore 2-0, si në vajtje, ashtu edhe në kthim, në fazën e grupeve 2022/23).
Interi ka humbur 4 nga 7 ndeshjet kundër Bayern Munich në Champions League (2 fitore, 1 barazim), megjithatë e ka likujduar skuadrën bavareze në të dy rastet kur janë përballur në fazën me eliminim direkt të turneut: 2-0 në finalen e edicionit 2009/10 dhe me rregullin e golit jashtë fushe në 1/8 finale të sezonit 2010/11 (3-3 në total).
Vetëm Real Madridi (7 herë) e ka likujduar Bayern Munich më shumë herë në fazat me eliminim direkt të Champions League sesa Interi (2 herë). Skuadra italiane është njëra nga vetëm 5 skuadrat që e ka arritur këtë më shumë se një herë (2 herë gjithashtu Barcelona, Chelsea dhe Milani).
Bayern Munich nuk ka pësuar humbje në 22 ndeshjet e fundit në shtëpi në Champions League (17 fitore, 5 barazime). Humbja e fundit në shtëpi në këtë kompeticion ishte në prill të vitit 2021, kundër Paris Saint-Germain (3-2 në ndeshjen e parë çerekfinale).
Ndër skuadrat që kanë luajtur të paktën 10 ndeshje në një edicion të vetëm të Kupës së Kampionëve/Champions League, përqindja e ndeshjeve pa pësuar gol nga Interi (80%) këtë sezon është më e larta ndonjëherë e regjistruar nga një skuadër në një edicion të vetëm (8 ndeshje pa pësuar gol nga 10 të luajtura për Interin).
Bayern Munich ka regjistruar nivelin më të lartë të intensitetit të presionit në një të tretën e fundit të fushës mesatarisht për ndeshje në këtë edicion të Champions League (121.8). Në fakt, mesatarja prej 12.8 rikuperimeve ofensive për ndeshje nga bavarezët këtë sezon është më e larta që nga ajo e vetë Bayern Munich në edicionin 2021/22 (13.2).
Harry Kane ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në 50 gola në 55 paraqitje të Champions League (39 gola, 11 asistime), përfshirë 12 gola në 11 ndeshje në këtë edicion. Vetëm Robert Lewandowski ka kontribuar në më shumë gola në një sezon të vetëm me fanellën e Bayern Munich në këtë turne (20 më 2019/20, 16 më 2021/22).
Lautaro Martínez ka shënuar 6 gola në 9 paraqitje në këtë Champions League. Lojtari i fundit i Interit që ka shënuar më shumë në një edicion të vetëm të këtij turneu ka qenë Samuel Eto’o më 2010/11 (8), goli i fundit i të cilit atë sezon erdhi pikërisht në fushën e Bayernit në 1/8 finale.
Joshua Kimmich ka kompletuar 1015 pasime në këtë Champions League. Shifër rekord për një edicion të vetëm që nga sezoni 2013/14 (1080 nga Toni Kroos dhe 1020 nga Xavi në atë rast). Njëkohësisht, gjermani është mesfushori që ka krijuar më shumë raste për shokët e skuadrës (35) dhe ka bërë më shumë pasime vertikale që kalojnë linjën e presionit të kundërshtarit (201) në këtë turne.
Në tri edicionet e fundit të Champions League (që nga 2022/23), Achraf Hakimi (8) është i vetmi mbrojtës/anësor që ka dhënë më shumë asistime se Federico Dimarco i Interit (6). Të gjashtë asistimet e italianit kanë shkuar për lojtarë të ndryshëm (Dzeko, Çalhanoglu, Mkhitaryan, Correa, Martínez, Thuram)./telesport/