Shoqata që bashkon Ligat e Futbollit në Europë (Epfl) duket se është kundër ndryshimeve që ka bërë UEFA për Ligën e Kampioneve dhe kërkon një format të ri që të jetë më i barabartë dhe t’u japë më shumë shanse vendeve të vogla për përfaqësim.
Ajo ka kërkuar që shteteve kryesore të mos u garantohen më 4 vende në fazën në grupe, pasi kështu mbeten vetëm “thërrime” për të tjerët.
Mbledhja u bë për të garantuar fillimisht që nuk do të kishte ndryshime në të ardhmen e afërt me kalimin e Ligës së Kampioneve apo ndonjë turneu të ngjashëm në fundjavë, pasi kjo e fundit u garantohej vetëm kampionateve vendase.
Të 28 ligat që përfaqësohen nga kjo organizatë, kanë bërë gati një listë me propozime, të cilën do ta paraqesin para UEFA-s në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të saj më 3 dhjetor në Dublin. Në atë mbledhje do të shpaloset edhe plani për turneun e tretë evropian me 32 skuadra.
Epfl ka kërkuar që të ardhurat të jenë më të shpërndara te të gjithë nëpërmjet formulës së re dhe jo vetëm te anglezët, italianët, spanjollët dhe gjermanët, të cilët kanë të ardhura shumë më të mëdha edhe falë pranisë së madhe që kanë në Ligën e Kampioneve.
“Ndryshimi është absolutisht i nevojshëm, për ta kuptuar mjafton të shohësh se 48% e shumave të dorëzuara nga UEFA në Kupën e Kampioneve apo Ligën e Kampioneve nga vitit 1992 e deri më sot, i ka shkuar vetëm 14 klubeve. Kështu ka më pak konkurrencë”, theksoi sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Xhorxh Pangl. /vipsport/