Rikthimi i Ligës së Kampioneve është vetëm dy javë larg… në teori. Rritja e rasteve të COVID-19 në vende të ndryshme në kontinent ka bërë që të kthehet pasiguria dhe të rriten masat e rrepta për ata që cilësohen si zona të rrezikshmërisë së lartë.

Një prej tyre është Spanja, e cila në javën e fundit ka shënuar përsëri rritje drastike të numrit të të infektuarve dhe kjo vë në dyshim serioz ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampioneve mes Mançester Sitit dhe Real Madrid.

Nga dita e nesërme, të gjithë ata që hyjnë nga Spanjë në Britaninë e Madhe, do të jenë të detyruar t’i nënshtrohen një karantine 14-ditore, sipas vendimit të qeverisë angleze.

Një mase drastike, por që ka për qëllim të mbrojë popullatën e cila në këtë periudhë shpesh shfrytëzon ishujt spanjolle për pushimet verore. Kjo bën që edhe ndeshja mes dy skuadrave të jetë në dyshim, të paktën sa i përket zhvillimit të saj në territorin anglez.

UEFA ka vemdosur të mos komentojë çështjen, por në Spanjë tani janë të pasigurt se si do të zgjidhet kjo çështje, pasi skuadra e Zidan duhet të fillojë të mendojë për sfidën e kthimit që duket se do të jetë e detyrueshme të luhet në një vend tjetër ku nuk kërkohet karantinimi. /vipsport/