Kapiteni i ekipit të Vllaznisë, Gilman Lika, është shprehur tepër i kënaqur me tri pikët e fituara në përballjen ndaj Skënderbeut.
Sipas Likës, Vllaznia ka fituar vetëm një përballje dhe ka ende shumë punë, për të thënë se ka zgjidhur çështjen e mbijetesës në Kategorinë Superiore.
Skënderbeu pati fituar në dy përballjet e para, madje me një rezultat të thellë 1-4 para dy muajsh, duke krijuar mjaft probleme në kampin shkodran.
“Ishte një fitore e merituar në këtë takim. Normalisht që kemi vuajtur jo pak për ta arritur një gjë të tillë, pasi edhe në momentet e fundit të ndeshjes mund të ishim ndëshkuar. Pavarësisht se kishim mungesa, të gjithë djemtë dhanë maksimumin.
Ajo që na dha këtë trepikësh tepër të merituar, ishte shpirti i garës që treguan të gjithë djemtë pa përjashtim.
Ishin tri pikë me vlerë për vetë faktin se në fushën tonë duhet që të mos bëjmë hapa fals, por edhe për faktin tjetër se luanim përballë skuadrës më të mirë të Superiores.
Por, kjo fitore tani duhet hedhur tej dhe duhet që të shikojmë për takimet e radhës”, u shpreh fillimisht kapiteni per “Panorama Sport”.
Qetësia
Për Likën, tri pikët e arritura ndaj Skënderbeut, nuk mund të quhen pikë qetësie. Vetë ngjeshja e ekipeve në fund të tabelës nuk u lejon shkodranëve që të jenë të qetë deri në fund të këtij sezoni.
“Kemi marrë vetëm tri pikë e asgjë më shumë. Nuk ka shumë vend për qetësi për ekipin tonë. Ne kemi të gjithë takimet finale deri në momentin kur matematika të na lejojë që të gëzohemi për arritjen e objektivit që kemi tani.
Të gjithë takimet i shikoj të forta, por për ne tani është e rëndësishme që në fushën tonë të bëjmë detyrën në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëse arrijmë që të marrim pikët maksimale në shtëpi, atëherë mund të them se do të jemi sërish në ekipet elitare.
Shorti na favorizon, por çdo gjë do të varet nga ajo që ne do të paraqesim në fushën e lojës”, vijoi Lika.
Lushnja
Vllaznia, takimin e parë të fazës së katërt e njëherësh të fundit të këtij sezoni, do ta ketë kundër ekipit të Lushnjës.
Një përballje e lehtë të paktën në letër për shkodranët, për vetë faktin se ekipi lagunar tani është pjesë e skuadrave të Kategorisë së Parë për edicionin e ardhshëm.
Mirëpo, kapiteni shkodran bën apel shokëve që nuk ka vend për të nënvlerësuar në këtë përballje. “Në letër është e lehtë, por nuk duhet ta mendojmë ne kështu.
Nuk kemi vend për nënvlerësime për asnjë skuadër. Nuk ka disnivele të mëdha që të themi po nënvlerësojmë këtë apo atë skuadër.
Unë mendoj se ne duhet ta përgatisim siç përgatitëm takimin me Skënderbeun edhe këtë takim me Lushnjën. Pikët kanë të njëjtën vlerë.
Duhet të bëjmë kujdes në këtë drejtim. Humbja e përqendrimit në një takim të vetëm mund të na kushtojë shumë në fund.
Prandaj duhet që të jemi të kujdesshëm dhe të marrim tri pikët që na duhen”, deklaroi kapiteni i ekipit të Vllaznisë, Gilman Lika.