Ka një përvojë të madhe në futboll dhe sigurisht që di të analizojë me hollësi atë se çfarë po ndodh në kampionatin shqiptar. Gilman Lika është ndalur tek ecuria e Vllaznisë teksa thotë se është befasuar nga ecuria e saj, e po ashtu ka edhe një porosi për pjestarët e saj.

“Më ka befasuar ecuria e sivjetme e Vllaznisë. Çdo shkodran mendoj se është befasuar nga kjo paraqitje e Vllaznisë këtë sezon. Shpresoj që të vazhdojë kështu, duke më befasuar deri në fund.

Ekipet si Laçi, Teuta, Kukësi apo Tirana, jo se më kanë zhgënjyer, por me kontigjentin që kanë duhet të jepnin më shumë. Kështu e gjykoj unë, duke parë edhe përbërjet që kanë. Unë gjykoj se Partizani, Laçi dhe Teuta për momentin janë më afër. Të tre këto skuadra besoj se do ta rrezikojnë Vllazninë.

Nëse ndeshja me Laçin do të ishte fituar, sot do të ishim duke folur për një Vllazni tjetër e cila do të kishte bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt titullit kampion. Megjithatë ajo humbje nuk duhet bërë dramë. Thjesht duhet të përqendrohen që të mos gabojnë edhe në vazhdimësi.

Drejtuesit e Vllaznisë duhet të jenë më të përqendruar në punën e tyre dhe të mos merren me atë se çfarë deklaratash bën një trajner apo një tjetër sepse jam i bindur se ata e kanë bërë me qëllim për të dështuar Vllaznia. Do të ishte një gabim i madh nëse dikush mendon se ajo e ka siguruar titullin, kështu që ndeshjet duhet t’i marrë dhe t’i vlerësojë sipas rradhës. Duhet t’i konsiderojë të gjitha finale nëse e do titullin”- ka thënë ish- kapiteni i kuqebluve.

Gjatë karrierës së tij Gilman Lika siç dihet për disa vite ka qenë pjesë e kombëtares dhe duke folur në lidhje me këtë temë, ai mendon se tek Vllaznia sot ka futbollistë që e meritojnë veshjen e fanellës kuqezi e për këtë ai thotë:

“Gurishta dhe Adili janë përmirësuar shumë dhe e kanë rritur nivelin e tyre. Shpresoj dhe mendoj se të dy e meritojnë një ftesë në kombëtare”./SHKODRA-SPORT.COM/