Hasan Lika kërkon afrime nga mbrojtja në sulm. Trajneri i Vllaznisë shpreson që deri në mbylljen e merkatos, ndonjë lojtar që nuk gjen hapësira në Kategorinë Superiore, të gjejë “strehë” në Shkodër.

Gjatë një intervistë të dhënë për mediat, numri një i pankinës kuqeblu, evidenton se Kategoria e Parë është për t’u pasur frikë, ndaj paralajmëron se duhet shumë punë për të realizuar misionin.

Pas miqësores së parë me Veleçikun, mund të thotë Lika se ku çalon Vllaznia?

Skuadra nuk ka marrë akoma formën e duhur, kemi ende punë për të bërë. Tani kërkohet që të merret njëherë gjendja fizike dhe më pas të bëhet edhe harmonizimi i duhur, pasi ka kemi shumë lojtarë të rinj.

Ndërsa po punojmë edhe për të arritur aspektin fizik, por jo vetëm, pasi kemi nevojë për t’u përmirësuar në anën tekniko-taktike dhe në ndërtimin e lojës.

Cili është reparti që ka nevojë për ndërhyje urgjente?

Na nevojitet një qendërsulmues i mirë, me mbrojtjen do të përmirësohemi. Kërkojmë në këtë repart dhe po ashtu edhe në mesfushë na duhet ndonjë lojtar më cilësor. Pra, ndërhyrje në të tre repartet.

Drejtori sportiv, Firat, tha se kjo Vllazni nuk del kampion me këtë kontingjent. Çfarë do të thotë Lika?

Sigurisht që duhet që ta përmirësojmë skuadrën. Janë larguar shumë lojtarë të ekipit nga ai i një sezoni më parë. Nuk është e lehtë që të zëvendësohen. Që të plotësojmë grupin, do jetë e vështirë, por besoj se do të përmirësohemi në vazhdimësi.

Shumë lojtarë në provë, keni marrë sinjale pozitive prej ndokujt?

Shenja pozitive kam marrë. Kemi bërë disa seleksionime. Kemi larguar ata që nuk na kanë pëlqyer dhe do të vazhdojmë që të punojmë për të forcuar këtë skuadër. Nuk po qahemi tani për kohën që kemi humbur, por të gjithë së bashku duhet që të bëjmë më të mirën për këtë Vllazni.

Ka emra konkretë për merkaton?

Për momentin nuk kemi emra konkret. Po presim edhe këto ditë që të mbyllet merkatoja e Kategorisë Superiore dhe mund të kemi ndonjë zhvillim deri në ditët në vazhdim. Unë shpresoj në këtë drejtim.

A beson Lika te kjo Vllazni?

Unë që në momentin e parë kam besuar, ndaj edhe tani s’kam pse të mos besoj te kjo skuadër.

Thuhet se Kategoria e Parë është më e frikshme, e keni edhe ju të njëjtin këtë mendim?

Unë do të thosha se është e fortë dhe jo e frikshme. Ka lojtarë të mirë edhe në Kategorinë e Parë. Por, sigurisht që të lehtë nuk do e kemi, për këtë jemi të gjithë të vetëdijshëm.

Si po funksionon bashkëpunimi me drejtorin Firat?

Është një bashkëpunim shumë i mirë. Unë jam i hapur për bashkëpunime dhe të njëjtën gjë e shoh edhe te Firat.

Stafit tuaj i është bashkuar edhe Elvin Beqiri, e kërkuat ju këtë emër në krah apo erdhi me vendim të bashkisë?

Ardhja e tij do të jetë një ndihmë e madhe për mua dhe për ne. Ishte një kërkesë e imja që ta kisha në skuadër një emër të tillë.