Në reagimin e tij të sotëm për mediat, Gilman Lika është ndalur edhe tek njerëzit që e kanë akuzuar atë dhe shokët e tij për rënien e Vllaznisë nga Superliga.

Nëse akuzat e tifozëve edhe ua fal, kapiteni i kuqebluve nuk mund t’ua fal këtë gjë njerëzve të sportit.

Për këtë arsye, në prononcimin e tij, mesfushori i djathtë ka numëruar edhe arritjet e karrierës së tij.

“Janë përgojuar shumë lojtarë, por unë flas në emrin tim.

Kanë qenë trajnerë, ish-futbollistë, specialistë deri edhe tifozë që kanë folur shumë.

Unë e mora fajin përsipër dhe kjo as që diskutohet, por dua t’u them diçka atyre që më kanë përgojuar.

Nuk e vë në dyshim që ka shumë lojtarë shkodranë që kanë bërë më shumë se unë, por unë do t’u thosha atyre që të shikojnë se në të gjithë historinë e Vllaznisë, që nëse gjejnë një lojtar në rolin tim që ka fituar 7 trofe, ka bërë 25 ndeshje me Kombëtaren, ka luajtur në një kampionat si është Turqia dhe ka fituar rreth 1 milion dollarë nga sporti, atëherë tërhiqem.

Nuk duhet që të flitet dhe të përgojohem me gjëra të rëndomta.

Si çdo njeri dhe si çdo shkodran, e vuaj rënien dhe mbajta përgjegjësitë e mia, por për gjërat dhe fjalët boshe, ndihem i fyer dhe jo mirë”- ka thënë Lika.
www.shkodrasport.com