Ky është një tjetër premtim I presidentit të Vllaznisë Agron Çela. Ai me shumë mundësi ka arritur një akord paraprak me Gilman Likën dhe mesfushori më I mirë ndoshta I kampionatit shqiptar, në fund të muajit korrik do kthehet tek Vllaznia. Lajmi bëhet I ditur nga vetë numri 1 I klubit shkodran. Në një prononcim për “Gazeta e Sportit”, ai ka thënë: “Krejtësisht nuk mund të quhet punë e kryer firmosja e kontratës por thuajse gjithçka është zyrtarizuar. Me Gilmanin kam biseduar gjerë e gjatë dhe kemi arritur në një pikë ku ka mbetur për t’u diskutuar edhe ndonjë detaj I fundit I kontratës së re. në këtë mënyrë, menjëherë pasi ai të mbarojë angazhimin e tij me Skënderbeun në Ligën e Kampioneve, do të ulemi për të mbyllur gjithçka dhe për të firmosur kontratën e re. them se jemi në rrugën e mbarë dhe me 90 për qind, Lika do jetë futbollist I Vllaznisë në sezonin e ri”. Deklarata e tij është e qartë dhe tashmë mbetet vetëm konkretizimi I kësaj lëvizje, që do të jetë më e rëndësishmja e Vllazninë në këtë merkato vere.
Premtimi. Premtimin për ta riveshur kuqeblu këtë futbollist, presidenti Çela nuk e ka bërë vetëm për gazetën tonë. Ai ua ka thënë edhe një grupi të zjarrtë tifozësh kuqeblu. Këta të fundit e kanë takuar dy ditë më parë për të mësuar se çfarë po ndodhë me Vllazninë dhe numri 1 I klubit u ka thënë se gjërat janë në rrugën e duhur për të ndërtuar një skuadër pretendente për titullin kampion. Dhe një nga opsionet e arritjes së këtij qëllimi sigurisht që ka qenë marrja e Gilman Likës. Çela ua ka bërë të ditur këtë gjë tifozëve dhe ata natyrisht që janë entuziasmuar nga ky premtim dhe tashmë presin realizimin e tij, ashtu si dhe të premtimit tjetër për të sjellë të tjerë futbollistë cilësorë në skuadër.
Shiriti I kapitenit. Një ndër premtimet e presidentit Çela në adresë të mesfushorit shkodran përveç plotësimit të kërkesave të tij financiare, ka qenë edhe ai I dhënies së shiritit të kapitenit. Që do të thotë se në rast se vishet kuqeblu, kapiteni I ri I Vllaznisë do jetë Gilman Lika. Ky është një motivim më shumë për këtë futbollist për t’u kthyer në qytetin e tij të lindjes, për t’u kthyer sërish tek skuadra që e bëri të njohur. Gjërat tashmë janë të qarta. Premtimet janë bërë dhe mbetet vetëm hedhja e firmës. Tifozët e duan në skuadër këtë futbollist se është një nga më të mirët e kampionatit shqiptar dhe përpos saj, me të në skuadër ka shpresa për një Vllazni pretendente.
Futbollisti. Vetë Lika ndodhet në Austri me skuadrën korçare tashmë në fazën përgatitore, në përgatitje të ndeshjeve të vlefshme për Ligën e Kampioneve. Pavarësisht dëshirës së korçarëve për ta patur në skuadër edhe sezonin e ardhshëm, mesfushori shkodran ka deklaruar se për të ardhmen e tij do të vendosë pas ndeshjeve europiane. Pikërisht atëherë kur I ka dhënë fjalën edhe presidentit Çela se do të firmosë për Vllazninë. Në kushte të tilla, të gjitha gjasat janë që kjo të ndodhë, gjithnjë nëse tek skuadra shkodrane gjërat shkojnë në rregull deri në fund të korrikut. Kjo ngaqë aktualisht është një situatë krejt e rrëmujshme dhe fillimi I normalizimit të saj, do të thoshte një mundësi më tepër për zyrtarizimin e kalimit të Gilman Likës tek Vllaznia.
Gjergj KOLA