Jo vetëm se shënoi golin e parë të ndeshjes, por edhe për iniciativat e shumta që ka marrë në këtë 90-minutësh, kapiteni Gilman Lika ishte një nga më të mirët për Vllazninë.
Pas fitores ai theksoi se skuadra po e kalon atë ngërçin psikologjik dhe duke pasur edhe kalendarin në favor, do të rritet në çdo drejtim. Por sërish epelon për tifozët shkodranë:“Ishte një ngërç psikologjik i yni para kësaj ndeshjeje, që vinte nga rezultatet e mëparshme. Besoj se e kemi kaluar me këtë fitore.
Goli i shpjetë sigurisht që na e lehtësoi disi ndeshjen dhe më pas patëm shumë raste, ku edhe humbëm shumë.
Jemi në shtëpinë tonë dhe kemi për detyrë të fitojmë edhe në ndeshjet e radhës. Jemi ekip me shumë tifozë dhe nëse sot do të ishin 3-4 mijë tifozë, do të ishte një plus shumë i madh për ne. Do të ishte njëkohësisht presion për kundërshtarin.
Në fazën e dytë e kemi kalendarin në favorin tonë, pasi fazën e parë kemi luajtur shumë ndeshje jashtë.
Ndeshja e Kupës së Shqipërisë me Tiranën është krejt tjetër nga ajo e fundit të sezonit të kaluar në kampionat”, – tha pas ndeshjes Lika.
© shkodrasport.com