Gilman Lika, ish-futbollist i Vllaznisë, ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ish-mesfushori kuqeblu ka analizuar Superioren në fjalët e tij dhe në veçanti kuqeblutë.

Në fjalët e tij, ishkapiteni kuqeblu thekson se skuadra ka bërë disa gabime, por të rikuperueshme. E ndërsa thekson se ky pushim do i bëjë mirë ekipit dhe se ka besimin se shkodranët mund të jenë kampionë të vendit në fund të sezonit.

Lika, si e keni parë fundin e këtij sezoni?

Të them të drejtën jam munduar të ndjek thuajse çdo detaj të futbollit shqiptar, për aq sa më ka lejuar koha dhe angazhimet e përditshme. Mund të them se gara duket e “egër” në të gjitha pozicionet. Pavarësisht se katër ekipet e para tashmë në syrin tim nuk diskutohen, sërish ka luftë për dy vendet e para. E ndërsa shumë e fortë duke gara për mbijetesën ku asnjë ekip nuk duket i dorëzuar, duke e bërë kështu shumë interesant këtë fund kampionati.

I ka kapacitet kjo Vllazni për titull?

E kam thënë edhe në intervista të tjera se kjo skuadër ka cilësi dhe kapacitet për gjëra të mëdha. Por të marrësh me emra futbollistët e Vllaznisë, thuajse në 90% të pozicioneve ka futbollistët më të mirë në vend. Kështu që unë besoj shumë tek titulli këtë sezon dhe nuk e shoh aspak të paarritshëm për Vllazninë në fund.