Hasan Lika “skanon” Vllazninë. Ecurinë nuk e quan perfekte, megjithatë thekson se faza e parë i ka shërbyer për të njohur më mirë kundërshtarët, por edhe kampionatin. Në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”, 58- vjeçari rrëfen gjithçka për 3 muajt e parë si kuqeblu.

Vlerëson disiplinën te lojtarët e tij dhe evidenton se nuk ka rebelë në grup. Edhe pse të gjithë e njohin për një trajner të qetë e të shtuar, është ai vetë që zbulon se hera-herës është i ashpër me lojtarët, madje aplikon edhe gjobat.

Në Shkodër flitet shpesh për ndërhyrje nga “të fortët” apo edhe për krizë financiare, megjithatë është vetë trajneri që e thotë hapur që të tilla probleme nuk ekzistojnë në ekipin e tij. Ngjitja mbetet misioni i vetëm, por e pranon se rrugëtimi do te këtë shumë pengesa…

Tani që u mbyll një fazë, vjen edhe koha për bilance. I kënaqur me atë që keni marrë deri më tani?

Nuk jam totalisht i kënaqur me rezultatet e fundit, por edhe për atë që kemi shprehur në fushë. Duhet të përmirësohemi akoma, edhe pse jemi në vend të parë dhe me 4 pikë më shumë se rivalët.

Duhet të punojmë dhe të japim më shumë dhe mund të them që kjo fazë e parë na shërbeu për të njohur këtë kampionat dhe kundërshtarët. Të gjithë e kemi kuptuar që vazhdimësia do të jetë më e vështirë.

Këto gabime, a mund t’ju ndëshkojnë në një moment?

Nuk mendoj. Sigurisht që nuk donim të humbisnim dje (të hënën), por ashtu shkoi. Dhamë maksimumin në fushën e lojës, mund të merrnim më shumë.

Por, duhet të kuptojnë që ndonjëherë mund të fitojnë edhe kundërshtarët me fat, ashtu siç na ka ndodhur edhe neve në ndonjë rast. Gabuam në një moment të lojës dhe nuk kemi mundur që të kthejmë rezultatin. Duhet të jemi të kujdesshëm.

Keni pishmane nga kjo fazë, për shembull, pikët e lëna me Shënkollin apo Ilirinë?

Pse duhet të lëmë pikë me Dinamon? Kundërshtarët janë të fortë dhe të respektuar të gjithë dhe gjithkush jep maksimumin në fushë. Nuk ka vend për pishmane. Më shqetëson kjo ndarje emrash, pasi po qe për emra, i bie që Vllaznia të fitojë pa luajtur fare.

Sa pikë të tjera do toleroni gjatë fazës së dytë, për të mos diskutuar kryesimin pas përgjysmimit?

Në futboll mund të ndodhë çdo gjë. Ne duam maksimumin, por do toleroja nëse do linim më pak pikë se këtë fazë.

Xhunior nuk po shënon më gola, çfarë po ndodh me brazilianin?

Nuk ka asnjë problem, por ndoshta edhe kundërshtarët janë më të kujdesshëm. Përpjekjet e tij janë të mëdha, madje edhe ndaj Ilirisë pasi rrezikoi, por nuk shënoi dot për meritë të portierit. Pastaj ne nuk presim vetëm prej tij, duhet që të ketë shpërndarje golash.

I kënaqur me aventurën në Shkodër?

Jam i kënaqur totalisht, pasi shoh angazhim nga drejtuesit dhe futbollistët.

Në Shkodër gjithnjë ankohen që ka ndërhyrje, por ju i keni hasur në këto muaj të tilla pengesa?

Jo, absolutisht jo. Nuk i kam fare këto probleme.

Është folur për ngërç financiar, a ka çështje pagash?

Asnjë problem, jemi paguar rregullisht. Nuk e di nga dalin këto informacione. Pastaj unë jam trajneri dhe flas për çështje teknike, por e them që ne këto ditë marrim tetorin, çka dëshmon korrektësi.

Po afrohet edhe merkatoja, keni filluar të mendoni për afrime?

Për momentin jo, duhet të shoh si do shkojë faza e dytë dhe nëse na lind nevoja, do të flasim.

Në kushtet që jeni, mendoni se keni një organikë të kompletuar?

Në përgjithësi jemi mirë. Tani që do të na kthehet nga dëmtimi edhe Malota, do jemi edhe më mirë, pasi është forcë e rëndësishme për ne.

Veç ngjitjes, a duhet që të ketë një projekt më konkret edhe për sezonin tjetër Vllaznia? Mos duhet që të ndërtohet një ekip më baza të shëndosha që tani, për të mos përsëritur situatën e Tiranës, e cila po lëngon në Superiore?

Kjo i takon së ardhmes. Objektivi ynë parësor mbetet ngjitja, ta sigurojmë atë dhe më pas të mendojmë për Superioren. Nëse gjatë janarit mund të na afrohet ndonjë lojtar që mund të na shërbejë edhe për vitin tjetër, nuk do t’i themi “jo”.

Ju mungon Superiorja?

Derisa i mungon Vllaznisë, sigurisht që edhe mua. Por më shumë mendoj që edhe Superiorja e ndien mungesën e Vllaznisë. Duhet të jemi të fortë dhe të ngulmojmë për t’u rikthyer.

Sa lehtë u përgjigjen lojtarët kërkesave të Likës, a janë të disiplinuar?

Jam i kënaqur për mënyrën si stërviten, luftojnë në fushë, përtej ndonjë gabimi.

A është i ashpër është profesor Hasani në stërvitje?

Sigurisht që jam kërkues në këtë drejtim dhe gjithnjë pres më shumë. Mendoj se e kanë kuptuar këtë edhe lojtarët, madje e kanë kuptuar drejt.

Po gjobat a i aplikoni?

Çdo klub ka rregullat e tij dhe ata e dinë mirë rregulloren. Nëse ka shkelje, ka edhe masa.

Keni “rebelë” në grup?

Jo, nuk kam të tilla probleme.

A ka rivalë Vllaznia në këtë kategori?

Po, ka, janë 4- 5 skuadra që janë rivalet tona.

A ka lojtarë në rivalët tuaj që do donit t’jua rrëmbenit në janar?

Po, ka skuadra të mira dhe lojtarë të mirë rrjedhimisht. Janë lojtarë që japin maksimumin, kanë vlera në aspektin teknik. I kemi parë dhe në ndeshjet me ne, na kanë krijuar edhe vështirësi.

Fushat a kanë qenë një siklet në këtë kategori?

Nuk janë në nivelin që ne dëshirojmë, por kushtet janë të njëjta për këdo. Nuk është justifikim.

Do ktheheni në “Loro Boriçi”?

Besoj se po, do kthehemi shumë shpjet.

E fundit, keni një mesazh për tifozët?

Ne e kemi për detyrë që me lojën dhe rezultatet tona t’i kthejmë ata në stadium. Jemi ne që i kemi larguar. Unë e kuptoj që në Shkodër janë pezmatuar, por mbështetja nuk na ka munduar. As në Fushë-Krujë nuk munguan, edhe pse ishte me dyer të mbyllura, u munduan ta shihnin ndeshjen me mundësi të tjera.