Nëse ka një futbollist që në dekadën e fundit ka qenë shumë i lidhur me Vllazninë dhe Tiranën, është pikërisht Gilman Lika. Ish-mesfushori shkodran që u tërhoq nga futbolli vitin e kaluar, ka luajtur për tetë sezone me kuqeblutë dhe katër me fanellën bardheblu, duke fituar disa trofe.

Në prag të “klasikes” së futbollit shqiptar, që do të luhet të shtunën në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”, Lika foli për “Panorama Sport”, duke komentuar ecurinë e dy skuadrave, shanset që kanë për fitore, por jo vetëm. 34-vjeçari ka edhe një mesazh për drejtuesit e klubit sa i përket çmimit të biletave, në mënyrë që pjesëmarrja të jetë sa më e madhe në mbështetje të skuadrës kuqeblu.

Sipas ish-mesfushorit, shembulli që Vllaznia të shkojë drejt titullit këtë sezon janë ndeshjet ndaj Dinamos dhe Laçit, ku bindi me lojë dhe arriti të triumfonte me goleada në shtëpi dhe transfertë.

Gilman, si ju është dukur Vllaznia në këto 6 javë?

Vllaznia ka zhvilluar ndeshje të mira, por ka pasur ulje-ngritje këto javë. Ndeshjet më të mira mbeten ato me Laçin dhe Dinamon, ku skuadra tregoi fytyrën e vërtetë, duke marrë edhe fitore të thella.

Çfarë mund të bënte më tepër ndaj Kukësit, ku mendoni se çaloi?

Në fakt, e nisi shumë mirë ndeshjen me Kukësin. Në 25 minutat e para e dominoi në çdo aspekt kundërshtarin, por duhet të ruante të njëjtin rritëm dhe këtë nuk e bëri dot.

Skuadra ka pësuar 10 gola, është ky ndoshta problemi më madhor që ka?

Po, është pak problem. Unë mendoj se një fakt i tillë tregon se gjithë ekipi në fazën mbrojtëse ka pasur probleme, jo thjesht reparti. Besoj se trajneri dhe stafi i kanë analizuar gabimet e tyre në humbjen e fundit. Vllaznia ka pasur disa luhatje që në javët më përpara. Shpresoj që në ndeshjen me Tiranën të jetë kthesa e duhur dhe t’i largojnë luhatjet. Pikërisht të shtunën luhet Vllaznia-Tirana.


Mbetet një ndeshje e veçantë për ju që keni luajtur me të dyja fanellat…?

Është një ndeshje e veçantë, jo vetëm për mua, por për çdo tifoz, pasi është një “klasike” e futbollit. Shpresoj shumë që stadiumi të jetë i mbushur dhe më këtë rast u bëj thirrje drejtuesve që çmimi në të gjitha tribunat të jetë i përballueshëm. Do të ishte shumë e bukur të shohim një stadium plot.

Tirana vjen si kryesuese në Shkodër. Çfarë ndeshjeje prisni?

Ajo vjen me moral të lartë, por gjithsesi është një “klasike” dhe pres të jetë një ndeshje e bukur, ku Vllaznia do të kërkojë fitoren. Do jetë një ndeshje e ekuilibruar dhe shumë e luftuar.

Kush mund ta bëjë diferencën në këtë takim?

Do ta kalojë me sukses këtë ndeshje ai ekip që ka dëshirën apo entuziazmin më të madh për fitore.


Për sfidën me Tiranën pritet të rikthehet Krymi që mungoi me Kukësin, por nuk do të jetë kapiteni Gurishta…

Është ndier jo pak mungesa e Krymit ndaj Kukësit, pasi është pikë kyçe në mesfushë, por unë mendoj se njësoj do të jetë kundër Tiranës me Gurishtën. Gjithsesi, këtë sezon Vllaznia ka një bollëk lojtarësh dhe ata duhet të bëjnë maksimumin për të zëvendësuar mungesat.

Brdariç i ka besuar Krujës rolin e mbrojtësit të djathtë, por tashmë është gati edhe Fangaj. Kush duhet të luajë, sipas jush, në vendin e Gurishtës?

Kjo është një pjesë që i takon stafit teknik. Është e vërtetë që Kruja e ka justifikuar shumë mirë pozicionin e krahut të djathtë në mbrojtje. Kushdo që të vendoset nga stafi në atë pozicion, besoj se do ta justifikojë veten.


Luhet në 16:45, është kjo një orë e përshtatshme për këtë “klasike”?

Nuk më pëlqen orari. Kjo është një ndeshje që duhet të luhej me drita. Jam i bindur që e gjithë Shkodra mezi po e pret dhe do të jenë prezent.


Fitorja në derbin me Partizanin mendoni se i jep Tiranës një epërsi më tepër në aspektin moral?

Në këtë moment ata janë shumë më mirë nga ana psikologjike, por kur janë ndeshje derbi, nuk ka një favorit, pasi mobilizimi i lojtarëve është maksimal.


Ata e kuptojnë që kjo ndeshje ka një rëndësi shumë të madhe edhe për vazhdimësinë. Besoni te një fitore e Vllaznisë?

Është shans i madh për Vllazninë që të bëjë një kthesë të madhe në rezultate dhe për më tepër ndaj një rivali direkt për titull.

Meqë përmendët titullin, sa shanse u jepni këtë sezon kuqebluve për t’u shpallur kampion?

Nëse luan si ndaj Laçit dhe Dinamos, kanë shumë shanse, përndryshe do të jetë shumë e vështirë për të synuar titullin.