Vesel Limaj do të jetë i gatshëm për trajnerin Skënder Gega në ndeshjen e nesërme ndaj Tiranës, që do të zhvillohet në fushën asnjanëse të Korçës në orën 13:45. Mesfushori kosovar u pezullua me dy ndeshje nga Komisioni i Disiplinës pas javës së fundit të kampionatit të kaluar ndaj Luftëtarit dhe dënimi iu mbart për këtë sezon.

Në këto kushte, fati ishte me Limajn, pasi dukej e sigurt se do të humbte ndeshjen ndaj Tiranës. FSHF vendosi që sezoni të nisë me Kupën e Shqipërisë dhe takimi që Kukësi luajti ndaj Maliqit të dielën i shleu Limajt një ndeshje nga dy që është dënuar.

Por, kapiteni i Kukësit ka vendosur të paguajë detyrimin prej 1 milion lekësh të vjetër në FSHF për të konvertuar pjesën e mbetur të dënimit.

Në këto kushte, ai do të jetë gati për sfidën e javës së parë, e cila natyrisht që nga vetë Gega konsiderohet shumë e rëndësishme dhe mungesa e Limajt do të prishte shumë planet e trajnerit për formacionin anti-Tirana.

TITULLARËT
Në ndeshjen e Kupës ndaj Maliqit të Kategorisë së Dytë, Kukësi luajti me një formacion miks, ku Gega përzjeu kartat për të mos zbuluar titullarët që do të luajnë ndaj Tiranës.

Nisur nga ajo që trajneri ka përdorur në stërvitjet e fundit, mendohet se treshja e sulmit do të jetë e përbërë nga nigeriani Patrik Eze në majë, ndërsa në mbështetje të tij nga krahët do të jenë Agim Ibraimi dhe Albin Gashi.

Sa i përket mesfushës, nuk ka dilema, pasi me skemën 4-3-3, trajneri preferon treshen MatheusLimaj-Taipi. Edhe në mbrojtje katërshja që do të luajë thuajse është konfirmuar me dyshen Horiç-Hetemaj në qendër, Lulajn në krahun e djathtë dhe Demirin në krahun e majtë.

Gjithsesi, nga ajo që është provuar, ka dilema të mëdha për krahun e djathtë të mbrojtjes, pasi kandidatë potencialë janë Dragoshi dhe Vitija.

Megjithatë, Gega i beson eksperiencës së Lulajt, i cili është lojtar polivalent dhe mund të luajë edhe në rolin e mesfushorit shkatërrues.

Ndërkohë, dilema ka edhe për portën. Dashamir Xhika dhe Entonjo Elezaj luftojnë për një vend.

I pari duket favorit për të qenë nga minuta e parë ndaj Tiranës, por gjithsesi kjo do të vendoset vetëm pak minuta para takimit.