Ish-volejbollistja e njohur e Minatorit të Rrëshenit, Lindita Prenga (Hoxha) është emëruar këto ditë trajnere e skuadrës U20 të Mirditës. Një lajm të tillë e bën të ditur vetë ish- volejbollistja e njohur në profilin e saj në rrjetet sociale.
Duke folur për “Shkodra Sport”, ish-volejbollistja flet për detyrën e re, mes të tjerash thotë: “Një skuadër nga qyteti ynë do të marrë pjesë në kampionatin e U20 në volejboll për femra.
Skuadra është krijuar në saj të bashkëpunimit me skuadrën e Minatorit. Kam besim se paraqitja jonë në kampionatin e ri që starton në muajin tetor, do të jetë mjaft e mirë. Kemi të bëjmë me një grup vajzash që kanë dëshirë dhe pasion dhe ky është tregues pozitiv se debutimi ynë do të jetë mjaft i mirë”.
Ndërkohë që qyteti i Rrëshënit do të përfaqësohet në kampionat me një strukturë të plotë të të gjithë ekipeve, duke filluar nga U14, U16, U20 si dhe me ekipin e të rriturave. Volejbolli në Mirditë është një traditë dhe emra si Lindita Prenga (Hoxha) po bëjnë më të mirën e mundshme për ta ruajtur dhe për ta çuar më përpara.
Nderim GOCI